Çmimi i dizelit ulet për 2,5 denarë, ndërsa i benzinave për 1,5 denarë për litër – vendosi Komisioni Rregullator për Energjetikë. Me këtë vendim, komisioni përcaktoi çmimet maksimale të derivateve të naftës, të cilat ulen mesatarisht për 2,73%. Çmimi maksimal i dizelit është 95,5 denarë, i benzinës BS-95 është 82 denarë, ndërsa BS-98 është 84 denarë. Në këto çmime nuk është llogaritur zbritja shtesë e OKTA-s për tregtarët, prej 3 denarësh për dizelin dhe 2 denarësh për benzinat.
Nga data 15.4.2026 ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motorike EUROSUPER BS-95 – 82,00 den/litër
Benzinë motorike EUROSUPER BS-98 – 84,00 den/litër
Dizel EURODIESEL BS (D-Е V) – 95,50 den/litër
Vaj për djegie Ekstra i lehtë 1 (EL-1) – 96,50 den/litër
Mazut M-1 NS – 49,227 den/kg
Me zbritjet, nga mesnata dizeli në pikat e karburantit duhet të shitet me 92,5 denarë për litër, në vend të 95 denarëve sa është tani. Çmimi i EUROSUPER BS-95 do të jetë 80 denarë në vend të 81,5 denarëve, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet me 82 denarë në vend të 83,5 denarëve.
Çmimet e karburanteve nga mesnata me masa dhe zbritje të përfshira:
Benzinë EUROSUPER BS-95 – 80,00 den/litër
Benzinë EUROSUPER BS-98 – 82,00 den/litër
Dizel EURODIESEL BS (D-Е V) – 92,50 den/litër
Këtë herë edhe llogaritjet e Qeverisë përputhen me ato të Komisionit Rregullator. Megjithatë, edhe pse ishte paralajmëruar se në seancën e Qeverisë do të shqyrtohej raporti i inspektorëve të tregut për lëvizjen e çmimeve të ushqimit dhe do të miratoheshin masa të reja të targetuara për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, kryeministri thotë se ende do të analizohen.
“Pres ta marr raportin dhe ta analizojmë gjatë këtyre ditëve dhe pasi ta analizojmë me kujdes, atëherë sigurisht do të dalim me masa të caktuara. Duam që këtë herë të jenë masa mikrotargetuese”, tha Mickoski.
Sipas paralajmërimeve të kryeministrit, masat e ardhshme do të jenë më të targetuara për grupe të caktuara qytetarësh dhe për produkte bazë ushqimore, ose një kombinim me ulje të TVSH-së dhe kufizim të marzhës së fitimit për tregtarët.
Ndërkohë, statistika ka matur se në mars të këtij viti inflacioni është rritur në 4,9% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike janë rritur për 7,5%. Krahasuar me shkurtin, ato janë më të larta për 0,7%.
