Drejtoria e të Ardhurave Publike mori kryesimin njëvjeçar të Organizatës Ndërevropiane të Administratave Tatimore (IOTA) në një ceremoni solemne të mbajtur gjatë Asamblesë së 30-të Vjetore të organizatës në Budapest.
Kryesimi u mor simbolikisht përmes ceremonisë së dorëzimit të flamurit të IOTA-s nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Administratës Kombëtare Tatimore dhe Doganore të Hungarisë, Csilla Tamás Czinege, te drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, njoftuan nga DAP.
Në fjalimin e saj pas marrjes së kryesimit, drejtoresha Petrova theksoi se administratat tatimore sot përballen me ndryshime të shpejta teknologjike, modele të reja ekonomike dhe pritshmëri gjithnjë e më të mëdha nga qytetarët dhe bizneset. Ajo nënvizoi se roli i IOTA-s është t’i ndihmojë administratat tatimore t’i shndërrojnë me sukses këto sfida në mundësi përmes bashkëpunimit praktik, shkëmbimit të përvojave dhe ngritjes së përbashkët të kapaciteteve.
“IOTA nuk duhet të jetë vetëm një vend ku administratat tatimore diskutojnë për ndryshimet, por një vend ku së bashku i shndërrojnë sfidat në zgjidhje konkrete”, theksoi Petrova.
Menjëherë pas ceremonisë, Petrova udhëhoqi mbledhjen konstituive të përbërjes së re të Këshillit Ekzekutiv të IOTA-s, ku bëjnë pjesë Azerbajxhani, Belgjika, Armenia, Estonia, Rumania, Finlanda, Kroacia dhe Zvicra.
Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të IOTA-s, Petrova mori pjesë në një panel diskutimi me drejtorët e administratave tatimore të Azerbajxhanit, Estonisë, Ukrainës, Hungarisë dhe Kroacisë, kushtuar prioriteteve strategjike të administratave tatimore dhe rolit të ardhshëm të IOTA-s. Në diskutim u theksua nevoja për përshpejtimin e transformimit digjital, si dhe aftësia e administratave tatimore për ta menaxhuar këtë transformim dhe për të ruajtur besimin e publikut në kushtet e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe ekonomike.
Në IOTA janë anëtare 43 shtete evropiane dhe dy anëtare të asociuara, ndërsa organizata bashkëpunon me një numër organizatash ndërkombëtare dhe globale që merren me çështje tatimore.
