Diego Pablo Simeone, pranë 15 viteve në stolin e Atlético Madridit, ka dhënë një intervistë për “L’Équipe”, ku ka analizuar rrugëtimin e tij te klubi madrilen.
Pothuajse 15 vite te Atlético – “Sigurisht që mund të përshtatesh dhe të rishpikësh veten; është e nevojshme të qëndrosh në të njëjtin vend për kaq shumë vite. Edhe mua më është dashur ta rindërtoj skuadrën shumë herë, duke u bazuar te cilësitë e lojtarëve që janë bashkuar me ne”.
Debati për stilin e lojës – “Në thelb, besoj se të gjithë trajnerët kemi një ide të përbashkët, të gjithë duam të fitojmë. Pastaj është debati i famshëm mes atyre që sulmojnë më shumë dhe atyre që sulmojnë më pak. Personalisht, do të doja të shihja nëse ata që sulmojnë më shumë mund të sulmonin më pak, ose në të njëjtën mënyrë, duke drejtuar skuadra të tjera… pa pësuar më shumë gola”.
Presioni – “Gjithë peshën që ndiej tani, pas 15 vitesh në këtë klub, nuk e ndjeva gjatë tri-katër sezoneve të para. Isha i lirë, i qetë, i lumtur me çdo ndeshje që fitonim. Më parë, fitorja ishte gëzim; sot, fitorja është lehtësim”.
Vlerat – “Jemi në një klub që konkurron vazhdimisht me dy superfuqi, Real Madridin dhe Barcelonën, për të cilat mjafton një aksion për të fituar, sepse Mbappé ose Lamine Yamal mund të shfaqen papritur dhe të shënojnë. Tek Atlético duhet të jemi gjithmonë në 110%. 100% nuk mjafton për të fituar në Spanjë, sepse Barça dhe Real Madridi rrallëherë janë të dyja jashtë forme në të njëjtën kohë”.
Sjellja në stol – “Do të doja të isha më i qetë nga sa dukem dhe po punoj për këtë, edhe pse nuk duket. Kur jam në stol, mund të shpërthejë një bombë 200 metra larg stadiumit dhe nuk do ta dëgjoja. Shpresoj që një ditë të arrij të qetësohem pak dhe të jem si ata trajnerë që e shohin ndeshjen ulur në heshtje”.
Botërori – “Nuk ka një skuadër që mbrohet keq dhe bëhet kampione. Spanja e tregoi këtë në Botëror, pësoi vetëm një gol dhe luajti futboll të mirë pa qenë spektakolare. Nëse më pyet cili lojtar spanjoll shkëlqeu gjatë turneut, nuk do të dija të thosha një emër. Mbi të gjitha, ishin shumë kompaktë dhe për mua fitorja e tyre ishte sukses i ekipit. Pak a shumë si Argjentina më 2022”.
Merkatoja – “Klubi po punon shumë dhe ka ende kohë deri në mbylljen e merkatos më 1 shtator. Kam besim se klubi do të më japë mjetet për të qenë konkurrues, siç ka bërë gjithmonë. Do të doja t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion që tani, por ndonjëherë duhet të kesh durim”.
Çfarë duhet përmirësuar – “Do të doja të rikthenim soliditetin defensiv që kemi humbur, sepse sezonin e kaluar, veçanërisht në Champions League, patëm statistika shumë të këqija në këtë aspekt. Pavarësisht kësaj, arritëm në gjysmëfinale, ndaj imagjinoni sa shumë na është dashur të sulmojmë, diçka që askush nuk e vlerëson. Pse? Sepse jemi Atlético. Por ky është reputacioni ynë… Gjithashtu do të doja që mesfushorët tanë të shënonin më shumë gola”.
E ardhmja – “Nuk synoj rekordin e Wengerit, Fergusonit apo askujt tjetër; kjo nuk është ajo që më motivon. Mendoj vetëm për energjinë, forcën dhe përulësinë që më duhen për të qenë këtu”.
The post Diego Simeone rrëfehet në 360 gradë: Nuk synoj rekordin e Wengerit, Fergusonit apo askujt tjetër appeared first on Telesport.
