Askush nuk e ka kuptuar Romelu Lukakun më mirë se Antonio Conte. Në dy sezonet që ata u bashkuan tek Interi, (2019-2021) sulmuesi belg shënoi 64 gola dhe dha 15 asistime në 95 ndeshje.
Për këtë arsye, pas eksperiencave me Chelsea, Interin (sërish) dhe Romën, 31-vjeçari vendosi të ribashkohej me trajnerin salentin, që e vlerësonte më shumë, këtë herë te Napoli.
Megjithatë, Conte u përball me një Lukaku ndryshe. “Erdhi jashtë forme dhe me një përgatitje shumë të dobët. Duke marrë parasysh fizikun e tij, nuk ishte e realizueshme të pritej që të gjente menjëherë formën ideale brenda pak javësh”, – raportoi “Gazzetta dello Sport”.
Gjithsesi, ish-sulmuesi i Anderlecht, Chelsea, West Brom, Everton, Inter, Roma dhe Manchester United, u përkushtua maksimalisht dhe, sipas “La Gazzetta”, ka humbur 9 kilogramë që nga ardhja e tij te Napoli.
“Nuk ha kurrë në mëngjes, ndjek një dietë strikte, – pranon ‘Big Rom’, i cili në një intervistë për “Corriere dello Sport” shtoi: – Tek Interi peshoja 101 kg, te Napoli peshoj 99 kg. Gjithsesi, pesha ime ideale është tjetër: 102 kg”.
Rezultatet po duken. Lukaku ka kontribuar në 19 gola në 28 ndeshje (2.054 minuta lojë) me Napolin këtë sezon. Ai ka shënuar 10 gola, të gjithë në Serie A, dhe ka dhënë 9 asistime. Fundjavën e kaluar ishte përsëri vendimtar në fitoren 2-1 kundër Fiorentinës. Ai hapi serinë e golave duke përfituar nga një top i kthyer nga De Gea dhe më pas dhuroi një asist të shkëlqyer për Raspadorin për golin e dytë.
Nuk është ende në nivelin e tij më të mirë, por Conte e shijon rilindjen e tij: “Kundër Fiorentinës dhe Interit bëri paraqitjet e tij më të mira që nga ardhja te Napoli. Ai e di që duhet të dominojë dhe, nëse e bën, ne kemi më shumë mundësi për të fituar”.
Conte e di çfarë thotë. Kanë mbetur edhe dy finale, dhe Napoli, që është vetëm një pikë pas Interit, ka nevojë për golat e Lukakut. Ai është i vetëdijshëm për këtë: “Pasioni me të cilin jetohet futbolli këtu dhe energjia që të transmetojnë tifozët është e pabesueshme”.
“Scudetto”-ja është në këmbët e tij…
The post Dieta e Lukakut funksionon; ka humbur 9 kilogramë dhe ka “gatuar” 19 gola appeared first on Telesport.
