Në lagjen Taftalixhe të Shkupit, gjatë natës është djegur një automjet, i cili sipas informacioneve jozyrtare është shfrytëzuar nga gjyqtari Gjoko Ristov.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rasti është raportuar rreth orës 02:50 në SPB Shkup. Zjarri ka shpërthyer në një automjet të tipit “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit, në pronësi të personit me inicialet Gj.R., në territorin e komunës së Karposhit.

Nga zjarri janë dëmtuar edhe dy automjete të tjera – “Volkswagen Touran”, në pronësi të D.M., dhe “SsangYong”, në pronësi të S.S., si dhe një objekt afarist në pronësi të G.L.

Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Nga MPB bëjnë të ditur se po kryhet ekspertizë në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e incidentit.