Federico Dimarco është italiani i parë që fiton çmimin MVP të Serie A. Për “Sky Sport” komentoi emocionet e tij pasi pasoi emra si Ronaldo, Dybala, Leao, Kvaratskhelia, Lautaro dhe McTominay: “Të jep një ndjesi të bukur, sepse zakonisht këto çmime i fitojnë sulmuesit. Ta fitosh si anësor mesfushe është diçka e pabesueshme. Të jem italiani i parë që e fiton këtë çmim më mbush me krenari. E kam të vështirë ta përshkruaj atë që ndjeva. Kur e mora vesh, shpërtheva nga gëzimi. Nuk e prisja, por është fryt i punës së bërë gjatë këtyre viteve”.
Një çmim që vjen nga larg…
Do të doja vërtet t’ua dedikoja atyre që në fund të vitit të kaluar thoshin se kisha mbaruar. Disa thoshin që duhej të shitesha, të tjerë se nuk mbaja më shumë se 35 minuta, apo që nuk dija të mbroja. Kur lexon gjëra të tilla të dhemb, por e vërteta është se unë përpiqem gjithmonë të jap maksimumin. Ndonjëherë nuk bën paraqitjen që dëshiron, por kur futem në fushë me këtë fanellë jap më shumë se 100%.
A i fshin kjo “dopietë” sezonale vuajtjet e së kaluarës?
Nuk i fshin, por përpiqet t’i riparojë disi. Humbja e finales së Champions League, pasi shkon deri në fund për të luajtur gjithçka, nuk ishte e lehtë për t’u kaluar. Lë pasoja të mëdha. Ky ishte viti i ringritjes, nxorëm diçka të jashtëzakonshme nga vetja. Gjithçka nis nga skuadra, trajneri dhe stafi. Chivu na ngriti moralin dhe ishte shumë i rëndësishëm në fillim të sezonit. Që në Botërorin e Klubeve më tha fjalë të forta, sepse e dinte që kisha nevojë të rigjeja besimin e humbur. Dalëngadalë ia dola dhe bëra këtë sezon. Tani që gjithçka ka përfunduar, më bën krenar të kem bërë 18 asistime, nuk e prisja.
Cili ishte asistimi më i bukur?
Atë kundër Torinos e vendos në vendin e dytë, në të tretin atë për Pio, sepse erdhi në një moment delikat dhe të rëndësishëm, ndërsa në vend të parë është ai për Bonny kundër Lazios në shtëpi.
Mancini ju ka komplimentuar…
Ai më dha debutimin tek Interi dhe në kombëtare. Ishte trajneri i parë i vërtetë që kam pasur në karrierë dhe më ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme.
Pse shkuat në Ascoli?
Jam i tillë, në vendet ku kam qenë është mirë të rikthehem. Ky është momenti më i bukur i karrierës sime dhe ishte e drejtë të shkoja aty ku nisi gjithçka.
Arritën edhe fjalët e Bonazzolit…
Isha shumë i vogël kur nisa tek Interi dhe fakti që kam kaluar gjithë rrugëtimin aty… Përtej komplimenteve, më pëlqen që më kujtojnë për njeriun që jam.
Sa e rëndësishme është të kesh lojtarë të rritur tek Interi?
Të rikthehesh është bukur, por për të qëndruar tek Interi duhet të jesh gjithmonë në nivel shumë të lartë. Nuk di sa shumë e dua Pio, për djalin që është dhe mënyrën si sillet. E njëjta gjë vlen edhe për ata që mund të rikthehen vitin tjetër, si Ale Stankovic, shpresoj. E çoja në stërvitje kur ishte 17 vjeç, është si një vëlla i vogël. Pio mund të bëjë edhe më mirë, do të bëhet shumë i fortë. Edhe Ale po ashtu, nëse do të jetë i aftë të qëndrojë këtu.
Një tjetër njeri kyç në karrierën tuaj ka qenë Juric…
Ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Në fillim nuk luaja me të, por dalëngadalë, me punë, më bëri të rritem si lojtar dhe si njeri.
Për t’u përmirësuar ju mbetet vetëm Champions-i…
Fakti që kemi arritur dy finale në katër vite është fryt i punës. Nuk më pëlqen të bëj premtime apo të them se do ta fitojmë Champions-in vitin tjetër, por do të përpiqemi të japim maksimumin për të shkuar sa më larg.
A është ky momenti më i bukur i jetës suaj?
Po. Kemi bërë një sezon të jashtëzakonshëm, kemi fituar dy trofe, unë dhe bashkëshortja ime presim edhe një fëmijë tjetër… Jemi shumë të lumtur.
The post Dimarco shpallet MVP i Serie A: Këtë çmim ua dedikoj atyre që thonin se kisha mbaruar… appeared first on Telesport.
