Gazetar: Suad Bajrami
Dy vjet pas qeverisjes me VMRO-në, VLEN thotë se po hapin kapitull të ri të qeverisjes pasi do të udhëheqin me tri ministri të reja, të cilat më herët janë udhëhequr nga kuadro joshqiptar. Drejtësinë, Kulturën e Marrëdhëniet Ndërmjet Komuniteteve i quajnë resorë strategjik, ndërsa në të gjitha premtojnë se do të angazhohen për ngritjen e çështjeve shqiptare.
Jeton Shasivarit i cili do të udhëheqë me Drejtësisë, VLEN i ka vendosur detyra të rënda. Duhet t’i realizojë premtimet që nuk i ka realizuar në gjysmën e parë të mandatit. E Ato janë të drejtat kushtetuese dhe trajtimi i rasteve të montuara.
“Marrja e këtij resori nënkupton përgjegjësi për të çuar përpara reforma të thella në sistemin e drejtësisë, për ta kthyer besimin e qytetarëve te gjyqësori dhe institucionet, për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, dhe për të hapur rrugën drejt trajtimit të drejtë të rasteve të montuara politikisht”, shkruan Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN.
Mbase duket paradoksale, por në dy gjysmën e parë të mandatit të koalicionit VLEN-VMRO-ZNM, Ministrinë që mbanë në supe frymën e Marrëveshjes së Ohrit e ka udhëhequr politikani i afërt me Rusinë, Ivan Stoilkoviq. Dy vite më vonë, VLEN mburret se ka rikthyer resorin me peshë për shqiptarët.
“Ky resor nuk është vetëm një mekanizëm koordinues, por institucioni që duhet të garantojë avancimin e barazisë, respektimin e të drejtave kolektive, dialogun ndërmjet komuniteteve dhe zbatimin konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat”, shkruan Mexhiti
Për Kulturën që deri dje e ka udhëhequr Zoran Lutkovi e tani Sedat Sulejmani, VLEN thotë se tani do të do të fillojnë me projekte e programe që promovojnë karakterin multietnik të shtetin dhe që forcojnë identitetin e shqiptarëve.
VLEN do të vazhdojë të mbajë resorin për Çështje Evropiane, ndonëse për integrimin evropian nuk pyetet VLEN-i, meqë VMRO-DPMNE ka çelësin në dorë për t’i bërë ndryshimet kushtetuese. VLEN udhëheqë edhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Thonë se kanë punësuar 2.500 shqiptarë, megjithatë nuk ofrojnë asnjë statistikë se në cilat institucione janë punësuar. Krahas tyre, VLEN udhëheqë edhe me Ministrinë e Ekologjisë.
Ndërkohë VLEN ka humbur dy ministritë, ndër më të mëdhatë sa i përket buxhetit dhe të punësuarve, atë të Shëndetësisë dhe Politikës Sociale. Gjithashtu, VLEN ka humbur edhe pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë. /Alsat.mk.
The post Dy vjet pas qeverisjes, VLEN premton “kapitull të ri” appeared first on Alsat.
