Një nga nismat më të rëndësishme të Federatës së Futbollit vijon të mbetet identifikimi dhe përfshirja e talenteve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht në SHBA dhe Kanada. Në këtë kuadër, më 27 qershor do të zhvillohet një ditë seleksionimi, e fokusuar te futbollistët e vitlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe futbollit të vajzave, ku të gjitha lojtaret e interesuara do të kenë mundësinë të marrin pjesë pa kufizim moshe.
Ky aktivitet do të zhvillohet në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick, NY” dhe do të organizohet nga ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli. Gjithashtu, pjesë e këtij udhëtimi do të jetë edhe Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Agolli.
Qëllimi i këtij seleksionimi është evidentimi i talenteve të reja, si edhe ndjekja nga afër e progresit të futbollistëve shqiptarë që jetojnë dhe aktivizohen në SHBA dhe Kanada.
Të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këtë proces seleksionimi duhet të dërgojnë të dhënat e tyre në adresën e e-mailit: seleksionime@fshf.al. Aplikimi duhet të përfshijë emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin në fushë, faqen zyrtare të klubit, pasaportën që zotërojnë, si dhe një numër kontakti.
The post “Eja trego talentin tënd!” FSHF organizon më 27 qershor seleksionime në SHBA appeared first on Telesport.
