Gazetare: Melihate Rustemi

Shkolla e mesme profesionale “Zdravko Cvetkovski” po mban ditët e hapura për semimaturantët. Përmes një ekspozite, shkolla ka prezantuar punimet e nxënësve aktualë, duke u shërbyer si model nxënësve që janë në prag të regjistrimit. Mësimdhënësit theksojnë se shkolla ofron drejtime tre dhe katërvjeçare si: arkitektura, dizajni i enterierit, ndërtimtaria dhe gjeodezia. Sipas tyre, pika e fortë e këtij procesi mbetet ndërthurja e teknologjisë me praktikën.

“Nxënësit kanë mundësi që të njëjtën procedurë ta ndjekin nëpër katër etapa të ndryshme. Njëra nëpërmjet teorisë, e dyta nëpërmjet vizatimeve-skicimeve, e treta nëpërmjet modelit 3D dhe e katërta duke dalë në teren, në praktikë, duke mësuar atë të cilën e vizatojnë. Idenë e kanë në bazë por të njëjtën e shohin edhe në realitet, jo vetëm arkitektura, e njëjta gjë vlen edhe për në ndërtimtari, gjeodezi dhe kështu me radhë”, tha Manushaqe Imeri, mësimdhënëse e lëndëve profesionale të arkitekturës.

Për nxënësit që tashmë janë pjesë e kësaj shkolle, zgjedhja e një drejtimi profesional është hapi i parë drejt një karriere të sigurt. Arkitektura dhe dizajni mbeten ndër drejtimet më të kërkuara.

“Shkolla profesionale ta jep një drejtim të saktë se çka do të vazhdosh në jetën tënde. Kërkon shumë kohë, shumë përkushtim mirëpo unë jam shumë e kënaqur prej shkollës dhe drejtimit  që e kam zgjedhur sepse e kam pëlqy çdo herë arkitekturën”, theksoi Aida Ibrahimi, nxënëse e vitit të tretë në këtë shkollë.

“Kam zgjedhur drejtimin e arkitekturës sepse më pëlqen shumë kreativiteti dhe dizajnji. Mendoj se shkolla “Zdravko Cvetkovski” është një zgjedhje shumë e mirë dhe ua rekomandoj të gjithë nxënësve që duan ta ndjekin këtë profesion”, tha Anisa Çoti, nxënëse e vitit të parë në këtë shkollë.

Interesi nuk mungon as nga ana e semimaturantëve, të cilët shohin te këto drejtime një mundësi për të shprehur talentin e tyre.

“Të gjitha drejtimet më pëlqejnë por më shumë jam duke e menduar arkitekturën dhe interier dizajnin sepse janë më interesante për mua por gjithashtu kanë më shumë kreativitet e cila më pëlqen”, u shpreh Gresa Mirzo, semimaturante nga shkolla fillore “Ismail Qemali” në Shkup.

Në drejtimet trevjeçare bëjnë pjesë profilet montues për ndërtim të thatë dhe vendosës të pllakave, duke ju përgjigjur kërkesave të tregut të punës për kuadro të kualifikuara teknike./Alsat.mk.

The post Ekspozitë dhe praktikë në Shkup: Semimaturantët njihen me drejtimet profesionale appeared first on Alsat.