Komisioni për emërtimin e rrugëve në Komunën e Tetovës ka shkelur afatin e paraparë për përfundimin e listës me emrat e rinj. Edhe pse mbledhja përfundimtare ishte planifikuar të mbahej më 20 shtator, ajo nuk u mbajt. Kryetari i komisionit, Albi Qamili, vonesën e arsyeton me nevojën për kontrolle shtesë juridike e gjuhësore përpara se lista t’i përcillet Qeverisë.

“Është e vërtetë se ne kemi caktuar një plan dinamik për ecurinë e procesit të grupit të punës për emërtimin e rrugëve, por duhet të kemi parasysh delikatesën e këtij procesi. Ju e dini problemet administrative, juridike e gjuhësore që kanë hasur komunat tjera të këtij procesi andaj, ne kemi thirr edhe ekspertë që janë marrë me këtë proces në komunat tjera, siç është komuna e Çairit dhe qyteti i Shkupit, andaj duke marrë gjitha masat, ne kemi vlerësuar se është më mirë të ngadalësohet procesi por të ketë zgjidhje si duhet ligjore”, tha Albi Qamili.

Sipas Qamilit, lista e kompletuar për rrugët e Tetovës pritet të jetë gati më 30 shtator. Megjithatë, ajo nuk do të shkojë menjëherë në Këshillin Komunal, por do t’i nënshtrohet një filtrimi nga ekspertët e fushës për të shmangur pengesat ligjore.

“Por sërish do them se procesi shkon në rrugë të mbarë dhe deri në 30 shtator do kemi edhe mbledhjen e radhës të grupit të punës në të cilën mendojmë që do të përfundojmë dhe do kompletojmë listën e cila do kontrollohet nga ekspertët dhe më pas të lëshohet në Këshillin Komunal për miratim dhe në Qeveri për miratim”, tha Qamili.

Deri më tani në Tetovë janë konfirmuar gjithsej 222 emra — prej të cilëve 77 në fazën e parë dhe 145 në të dytën.