Pas propozimit të Vjosa Osmanit për presidente nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Besian Mustafa ka ngritur pyetje për Vetëvendosjen.

“Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”, ka thënë ai.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, i ka reaguar shefes së GP të VV-së Arbërie Nagavci, lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet për votat në Kuvend sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Përmes një deklarate publike, Lushaku-Sadriu ka theksuar se tashmë emri është bërë i ditur, duke kërkuar nga shumica parlamentare të sqarojë nëse i ka votat e nevojshme.

“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar shkurt Lushaku.

Pak qaste më parë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thekson se kjo parti ka bërë një hap tjetër përpara në përpjekje për tejkalimin e ngërçit në zgjedhjen e presidentit. Nagavci tha se ‘s’kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret nga opozita për president”.

“Mbesim në pritje të propozimeve edhe sonte“,ka shkruar mes tjerash ajo.

Sipas saj, LVV ka hequr dorë nga kjo pozitë dhe u ka bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, që të propozojnë tre kandidatë unifikues jashtë skenës politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.

Ndërkohë, dje, Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje PDK-së dhe LDK-së që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët – konsensual, për president.

Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti garanci për sigurimin e 66 votave nga partia e tij në rast se LDK-ja propozon Vjosa Osmanin për presidente.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit. Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin pesë-vjeçar më 4 prill.