Në prag të gjysmëfinales së Champions League kundër Bayern Munich, skuadra kampione në fuqi e PSG po paraqitet me ambicie të larta dhe besim në rritje në aftësitë e saj. Pavarësisht se e nisi sezonin pa ndonjë përgatitje të vërtetë verore, skuadra e Luis Enrique është ende plotësisht në garë për një triumf të dyfishtë: Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve.

Në konferencën për shtyp, trajneri spanjoll deklaroi qartë çelësin e ndeshjes: ekuilibrin. “Kundër skuadrave që sulmojnë kaq mirë, duhet të dish si të mbrohesh. Por gjithashtu duhet të sulmosh në mënyrën e duhur“, shpjegoi ai.

Një pikë që ai e ka përsëritur disa here, pasi PSG nuk ka ndërmend të humbasë identitetin e saj. “A mendoni vërtet se fituam Ligën e Kampionëve me mbrojtës të krahut që vetëm mbroheshin? Për të fituar, duhet të sulmosh më shumë sesa të mbrohesh.”

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e detajeve: “Në këtë nivel, nuk ka favoritë. Ishte kështu kundër Chelsea e Liverpool dhe do të jetë njësoj edhe tani. Do të duhet të jemi gati për çdo gjë. Ne e meritojmë të jemi këtu. Nuk ka ekip më të mirë se ne”.

“Bayern është një ekip jashtëzakonisht i fortë, me pak gabime këtë sezon dhe një strukturë ekipi të përcaktuar mirë. Atmosfera do të na ndihmojë. Liga e Kampionëve u jep lojtarëve një energji të veçantë“, shtoi Luis Enrique.

The post Enrique: Ndaj Bayern nuk ka favoritë, por nuk ka asnjë ekip më të mirë se i yni appeared first on Telesport.