Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV u fokusua te Kombëtarja shqiptare, e cila ka mbyllur ndeshjet e muajve shtator dhe tetor në krye të grupit C1 të UEFA Nations League, me 9 pikë pas katër sfidave.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetari sportiv Alban Xhihani dhe trajneri i futbollit Mirel Josa. Në qendër të diskutimit ishte ecuria e kuqezinjve në katër ndeshjet e para të këtij edicioni, ku Shqipëria ka regjistruar tre fitore, ndërsa u analizuan edhe statistikat e grupit C1.

Në fokus ishte edhe sfida Shqipëri–San Marino, ku kuqezinjtë triumfuan 2-1, si edhe disfata 2-1 në ndeshjen ndaj Finlandës. U diskutuan në mënyrë të veçantë momentet e rëndësishme të këtyre dy takimeve, përfshirë kartonin e kuq të Etrit Berishës dhe rastin e pretenduar për penallti ndaj Myrto Uzunit.

Statistikat e katër ndeshjeve tregojnë paraqitjen e Shqipërisë në këtë edicion të Nations League. Kuqezinjtë kanë shënuar 8 gola dhe kanë një pritshmëri golash prej 8.5 xG, ndërsa kanë krijuar 14 raste të pastra shënimi. Në aspektin defensiv, Shqipëria ka pësuar vetëm 3 gola dhe ka një xGA prej 2.2, shifra më e ulët në grup. Gjithashtu, kuqezinjtë kanë një diferencë të pritshme golash prej +6.3 dhe një mesatare prej 5.8 goditjesh në kuadrat për ndeshje.

Në emision u veçuan edhe paraqitjet individuale të lojtarëve. Ardian Ismajli ka luajtur të katër ndeshjet me minuta të plota, ndërsa Kristjan Asllani ka shënuar tre gola në katër sfida. Në vëmendje ishin edhe lojtarët që kanë spikatur më shumë në këtë seri ndeshjesh, ndërsa Rey Manaj, me golin ndaj San Marinos, ka arritur kuotën e 13 golave me Kombëtaren, duke barazuar Sokol Cikalleshin dhe Ervin Skelën.

Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe Kombëtares shqiptare të vajzave, e cila të premten do të luajë ndeshjen e parë të play-off-it të Botërorit ndaj Uellsit.

Në fokus ishte edhe Kombëtarja U-21, e cila barazoi 2-2 në miqësoren ndaj Ukrainës. U diskutua gjithashtu për Kampionatit Europian U-21, ku tashmë janë përcaktuar 12 nga 16 skuadrat pjesëmarrëse në turneun e vitit 2027.

Emisioni solli edhe zhvillimet më të fundit nga ekipet e tjera kombëtare. Kombëtarja U-19 ka regjistruar dy fitore në dy ndeshjet miqësore ndaj Lituanisë, duke vijuar përgatitjet për aktivitetet e ardhshme.

Në vëmendje ishte edhe rikthimi i kampionatit “Abissnet Superiore”. Në fundjavë do të luhet java e gjashtë, me një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit, derbin e kryeqytetit Partizani–Tirana.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare dhe aktivitetet e projektet e FSHF-së.

The post Episodi i radhës “Në Shtëpinë e Futbollit” fokusohet i gjithë te kombëtarja. Analiza e 4 ndeshjeve të para dhe të sfidave të ardhshme appeared first on Telesport.