Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme të dëmtuara, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa vendbanime. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan në rreth 15 raste, ndërsa në terren gjatë gjithë natës ishin edhe ekipet e ndërmarrjes publike komunale për largimin e pemëve dhe degëve të rrëzuara.
“Patëm rreth 15 intervenime, dy zjarre, disa kulme të rrëzuara, rrugë të bllokuara, si dhe shtylla elektrike të dëmtuara. Kemi intervenuar në të gjitha rastet dhe situatën e kemi pasur nën kontroll. Fatmirësisht, nuk kemi persona të lënduar”, deklaroi Avni Ameti, shef i NjTKZ Tetovë.
Komuna e Tetovës u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë motit të lig dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Deri më tani, në Komunë nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për kompensimin apo evidentimin e dëmeve.
“Komuna e Tetovës mbrëmë doli me apel për qytetarët që të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjet gjatë erërave të fuqishme. Deri më tani nuk kemi pasur denoncime nga banorët për dëmet materiale, por nëse paraqiten raste të tilla, Komuna së bashku me inspektoratin do të dalë në terren për verifikimin e tyre dhe marrjen e masave të nevojshme”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Në polici është raportuar edhe dëmtimi i një automjeti nga tjegullat e një kulmi në rrugën industriale. Ekipet e SPB Tetovë, zjarrfikësit dhe ndërmarrja publike komunale kanë bashkëpunuar për sigurimin dhe pastrimin e rrugëve. Deri më tani, as në Qendrën për Menaxhim me Kriza nuk janë raportuar dëme më të mëdha materiale. Fatmirësisht, nga të gjitha incidentet nuk ka persona të lënduar.
