Në një intervistë për emisionin “Al Mukabala“, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se ka marrë një premtim nga presidenti amerikan Donald Trump lidhur me rikthimin e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 dhe se tani pret që ky premtim të realizohet.

Erdogan tha gjithashtu se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) nuk është më prioritet për Turqinë, duke argumentuar se BE-ja nuk është e gatshme ta pranojë Turqinë dhe se Evropa do të jetë humbësja e kësaj situate.

Turqia u përjashtua nga programi shumëkombësh F-35 në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Sipas Uashingtonit, ky sistem mund të rrezikonte teknologjinë „stealth“ të avionëve F-35.

Gjatë samitit të NATO-s në Ankara muajin e kaluar, Trump, duke qëndruar pranë Erdoğan-it, tha se administrata e tij do të hiqte sanksionet e vendosura ndaj Turqisë në dhjetor 2020 për shkak të blerjes së S-400. Ai gjithashtu tha se rikthimi i Turqisë në programin F-35 është një çështje që SHBA-ja do ta shqyrtojë.

Heqja e sanksioneve amerikane ndaj Turqisë, të vendosura në bazë të ligjit për kundërshtimin e kundërshtarëve të Amerikës (CAATSA), do të mund të përshpejtonte procesin e rikthimit të Turqisë në programin F-35. Megjithatë, ende do të ekzistonin pengesa të tjera ligjore.

Për më tepër, në Kongresin amerikan ka kundërshtime ndaj shitjes së avionëve F-35 Turqisë.

Erdogan deklaroi gjithashtu se Egjipti mund t’i bashkohet marrëveshjes së mbrojtjes që Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan së fundmi. Sipas tij, edhe vende të tjera mund t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje.