Gazetare: Ajnur Bafqari

Deri në fund të kësaj jave pritet të merret vendimi përfundimtar lidhur me fatin e vendkalimit ilegal për këmbësorë në zonën e Bit Pazarit. Kështu thonë nga Qyteti i Shkupit, nga ku nënvizojnë se po shqyrtohen të gjitha mundësitë,  për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme dhe më të sigurt për qytetarët.

Nga Komuna e Çairit sqarojnë se rruga në fjalë është në kompetencë të Qytetit të Shkupit, por theksojnë se janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me këtë institucion si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Po shqyrtohen alternativa të ndryshme, ndërsa prioritet mbetet rritja e sigurisë së këmbësorëve dhe parandalimi i aksidenteve në këtë lokacion”– thonë nga Komuna e Çairit

Ndërkohë, kryetari i Qytetit të Shkupit ditë më parë ka deklaruar se para marrjes së vendimit do të zhvillohen bisedime me pronarët e bizneseve dhe banorët e zonës.

Sipas tij, nëse shumica e qytetarëve vlerësojnë se në atë lokacion duhet të ekzistojë një kalim për këmbësorë, atëherë do të përgatitet një projekt trafiku dhe do të mundësohet ndërtimi i një vendkalimi të rregullt dhe të sigurt. Në të kundërtën, nëse shumica mbështet mbylljen e vendkalimit aktual, atëherë ai do të mbyllet përfundimisht.

Qytetarët shprehen të prerë, ai vendkalim duhet të legalizohet, pasi i njëjti ka qenë gjithmonë aty, ndërsa mbyllja eventuale e tij, do të prekte drejtpërdrejtë bizneset në Bit Pazar. Në këtë vendkalim ilegal, ndër vite ka pasur aksidente të shumta, i fundit u regjistrua ditë më parë, kur një automjet goditi dy këmbësorë përnjëherësh. Mbyllja e tij është premtuar me vite, ndërsa tentimi i fundit për vendosjen e grilave ishte më 21 maj të këtij viti, ku ekipet teknike dolën në terren, i vendosën ato, por pas rezistencës dhe protestës së qytetarëve, grilat u hoqën përsëri pas disa minutash. /Alsat.mk

The post Fati i vendkalimit në Bit Pazar vendoset deri në fund të javës appeared first on Alsat.