Kjo është shkolla “Petar Zdravkovski – Penko”.  Është në territorin e Komunës së Butelit, por më afër se vetë nxënësit e Butelit, atë e kanë fëmijët e Çairit, të cilët i ndan vetëm një rrugë nga objekti shkollor – por dikush nuk po i lë të regjistrohen në të me arsyetimin se nuk i përkasin komunës Butel.

Kjo ngjalli reagimin e prindërve por edhe të politikës.

Arsyetimi për mos t’i regjistruar vetëm se nuk i përkasin rajonit të kësaj shkolle, është i papranueshëm për BDI-në e cila mbajti konferencë për media mu përballë shkollës.  

 “Në këtë shkollë disa prindër kanë fëmijët e tyre më të mëdhenj që ndjekin mësimin, ndërsa fëmijës më të vogël këtë vit nuk i lejohet që të regjistrohet këtu, duke i detyruar prindërit t’i dërgojnë në shkollë tjetër. Ajo që është edhe më shqetësuese sipas informatave se në Sh.F.‘Penko’ është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe, e jo edhe të paraleleve maqedonase, të cilat numërojnë numër shumë të vogël të nxënësve nga klasa e dytë deri në klasë të nëntë. Pyetja jonë është përse nuk bëhet bashkimi i paraleleve në një, ashtu siç pretendon Ministresha e Arsimit?“, tha Armend Murseli, këshilltar i BDI-së në komunën e Butelit.

Nuk do të ishte e drejtë që problemi të reduktohet vetëm në kufirin administrativ ndërmjet Komunës së Butelit dhe Komunës së Çairit, e as vetëm në numrin prej 18 nxënësish, thonë autoritet komunale.

“Sektori për Arsim në Komunë të Butelit nuk ka marr asnjë vendim të tillë për mbylljen e paraleles në fjalë. Me vetë faktin që në një paralele janë 18 nxënës nuk do të thotë automatikisht se ajo duhet të mbyllet. Ka shumë banorë, të cilët jetojnë edhe në territorin tonë komunal, por nuk i kanë ndryshuar adresat prej nga kanë ardhur dhe juridikisht nuk figurojnë si banorë të Butelit”, thonë nga komuna e Butelit.

Në përputhje me Ligjin për arsimin fillor, paralelja e rregullt formohet me 20 deri në 30 nxënës. Por, ligji parashikon mundësinë që paralelja të formohet edhe me një numër më të vogël nxënësish, me pëlqimin përkatës dhe mendimin pozitiv të institucioneve kompetente. Nga Ministria e Arsimit presin që institucionet kompetente për rajonizimin dhe organizimin e shkollave t’i dorëzojnë të gjitha informacionet relevante, pas së cilës Ministria do të veprojë në kuadër të kompetencave të saj ligjore.

“Ne jemi të gatshëm që në koordinim me Komunën e Butelit, Komunën e Çairit, shkollat dhe prindërit, t’i shqyrtojë të dhënat dhe të gjendet një zgjidhje ligjore dhe e qëndrueshme, me të cilën nxënësve do t’u mundësohet vazhdimi i papenguar i arsimit fillor në gjuhën amtare, në të cilën kanë të drejtë të arsimohen. Në rastin konkret, është e nevojshme të konstatohen të gjitha faktet relevante veçanërisht zona e shkollës ku u takojnë nxënësit, gjuha në të cilën ata e ndjekin arsimin, mundësia që në shkollën e tyre amë të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, si dhe nëse janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraleles me më pak se 20 nxënës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë. Sipas të dhënave të fundit të Entit shtetëror të statistikave numri i nxënësve shqiptar në gjithë Komunën e Butelit është shumicë me mbi 56%, përkatësisht nga gjithsej 5,276 nxënës – shqiptarë janë 2,971 nxënës.