Universiteti  i Tetovës ka shpallur konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027. Këtë vit, me përfundimin me sukses të procesit të riakreditimit të të gjitha njësive akademike, UT-ja vjen me programe të modernizuara dhe drejtime të reja studimore në kuadër të Fakultetit Ekonomik dhe atij të Shkencave të Zbatuara. Në total janë në dispozicion mbi 3 mijë e 100 vende të lira për të gjitha drejtimet.

“Studentët do të kenë mundësi të regjistrohen në 13 fakultetet, në programet e studimore përkatëse të këtyre fakulteteve. Risia e këtij viti akademik është se, regjistrimet fillojnë pas kalimit me sukses të procesit të riakreditimit të të gjitha programeve studimore dhe të gjitha njësive akademike. Në kuadër të tyre kemi pasur ndryshime të theksuara në shumicën prej programeve studimore dhe gjithashtu kemi dhe disa programe të reja të cilat do të jenë në kuadër të Fakultetit Ekonomik dhe në kuadër të Fakultetit të Shkencave të zbatuara, përkatësisht Kontrolli Financiar dhe Dogana shpedicion që do të jetë në kuadër të Fakultetit Ekonomik dhe Infrastruktura Rrugore si dhe Dizajni i Interierit i cili do të jetë në kuadër të Fakultetit të Shkencave të zbatuara”, theksoi Kushtrim Ahmeti – Rektor i UT-së.