Në FSHF TV u transmetua live emisioni i 30-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, i dedikuar finales së Kupës së Shqipërisë, fazës finale të kampionatit “Abissnet Superiore”, futbollit të vajzave dhe legjionarëve të Kombëtares shqiptare.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin zëvendëstrajneri i Kombëtares U-21, Erjon Xhafa dhe gazetari Alban Aga.
Emisioni u hap me fokusin te finalja e Kupës së Shqipërisë mes Dinamo City dhe Egnatias, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania”. Në një lidhje direkte nga stadiumi, gazetari i FSHF TV, Jurgen Zela, përcolli atmosferën dhe emocionet para sfidës finale.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe “Final Four” i “Abissnet Superiore”, ku të shtunën dhe të dielën do të nisin përballjet që do të përcaktojnë ekipin kampion të sezonit. Vllaznia do të përballet me Dinamo City, ndërsa AF Elbasani me Egnatian, në dy duele që pritet të sjellin emocione dhe rivalitet deri në fund.
Të ftuarit analizuan pritshmëritë për fazën finale të kampionatit, momentin e skuadrave dhe elementët që mund të bëjnë diferencën në garën për titullin kampion.
Vëmendje iu kushtua edhe futbollit të vajzave, ku u diskutua për shortin e “Final Four”, si dhe për triumfin e Teutës në Kupën e Shqipërisë për vajza.
Në pjesën e fundit të emisionit u analizuan performancat dhe arritjet e futbollistëve të Kombëtares shqiptare në arenën europiane, me fokus te sezoni pozitiv i legjionarëve në kampionatet ku aktivizohen.
The post Final Four, Kupa e Shqipërisë dhe legjionarët kuqezi. Ja çfarë u diskutua në episodin e 30-të “Në Shtëpinë e Futbollit” appeared first on Telesport.
