Dy klube, dy filozofi dhe dy mënyra krejt të ndryshme trajtimi ndaj stafit. Pak javë para finales së Champions League mes PSG dhe Arsenalit në Budapest, diskutohet shumë për mënyrën si dy klubet po e menaxhojnë praninë e punonjësve të tyre në finale.
Nga njëra anë është PSG, që, si edhe në finalet e mëparshme, ka vendosur t’i ftojë të gjithë punonjësit e klubit, duke mbuluar edhe shpenzimet e udhëtimit. Vendimi është marrë nga drejtuesit si një formë vlerësimi për punën e gjithë strukturës së klubit, jo vetëm të skuadrës së parë.
Nga ana tjetër, sipas “Telegraph”, drejtuesit e Arsenalit iu kanë ofruar punonjësve vetëm biletën e ndeshjes, ndërsa udhëtimi drejt Budapestit duhet paguar nga vetë ata. Kostoja arrin rreth 859 paund, afërsisht 1.000 euro për një udhëtim vajtje-ardhje brenda ditës.
Programi i klubit anglez parashikon nisjen në mëngjesin e ditës së finales dhe kthimin menjëherë pas saj, në mënyrë që stafi të jetë i pranishëm në Londër të nesërmen për festimet e mundshme. Sipas mediave britanike, kjo ka krijuar pakënaqësi të brendshme dhe vetëm rreth një e treta e punonjësve kanë pranuar ofertën.
The post Finalja e Champions-it / PSG paguan gjithçka për punonjësit, Arsenali iu siguron vetëm biletat appeared first on Telesport.
