Gazetar: Angel Dimovski
Mbi 1,2 milionë turistë vizitojnë vendin çdo vit, ndërsa shpenzimet e tyre vlerësohen në rreth 722 milionë dollarë, thotë ekonomisti Bunjamin Bela. Sipas tij, një turist shpenzon mes 35 dhe 75 dollarë në ditë, që mesatarisht në vit arrin nga 570 deri në 1.300 dollarë për person. Ai shton se të ardhurat nga turizmi, sipas vlerësimeve, mund të arrijnë deri në 988 milionë dollarë. Bela thotë se në të kaluarën turistët shpenzonin më shumë para në hotele dhe objekte të shërbimeve, ndërsa tani i shpenzojnë në produkte, stoli dhe veshmbathje.
„Që nga viti 2019 kemi gjithsej rreth 433 milionë dollarë që turistët i kanë shpenzuar atë vit. Në vitin 2020 ky numër është ulur për shkak të Covid-it në 260 milionë. Në vitet 2022 – 2023 pra menjëherë është rritur mbi 530 milionë. Ky numër ka tendencë të rritet, sepse vetëm nga viti i kaluar kemi rritje prej rreth 27% të numrit të turistëve, ku pritet të arrihen rreth 722 milionë dollarë të ardhura vetëm nga turizmi“, tha Bunjamin Bela – profesor i ekonomisë.
Për të tërhequr më shumë turistë në vendin tonë, Bela thotë se është e nevojshme të promovojmë më shumë kulturën tonë, produktet lokale, të investohet në infrastrukturë, në aeroporte, rrugë, sinjalizime, në mënyrë që turistëve t’u vijë sa më lehtë shfrytëzimi i kapaciteteve të akomodimit.
„Duhet ta promovojmë më shumë ekoturizmin, turizmin rural, lloje të tjera të trashëgimisë kulturore, ku bazuar në atë që kemi, të dimë si ta prezantojmë. Na nevojitet më shumë trajnim për punëtoritë turistike, në mënyrë që të bëhemi më tërheqës për një turizëm më të pasur, ku të na vijnë turistë që duan të shpenzojnë më shumë para në ekonominë tonë“, shtoi Bunjamin Bela – profesor i ekonomisë.
Maqedoninë e Veriut më së shumti e vizitojnë turistët nga Turqia, si dhe nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Serbia dhe Bullgaria. /Alsat.mk
The post Fitimi nga turizmi mund të rritet disa herë, vlerësojnë një pjesë e profesorëve të ekonomisë appeared first on Alsat.
