“Nuk kam vendosur nëse do ta shikoj ndeshjen e Real Madridit. Varet nëse më sjell fat apo jo, ende nuk kam vendosur. Por do ta mësoj çfarë do të ndodhë. Për ne, gjëja më e rëndësishme është ndeshja e nesërme (sotme) dhe për këtë jemi të përqendruar”.
Kështu u shpreh Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, në prag të pikës së mundshme të titullit të La Liga-s, që mund të kishte ardhur disa orë më parë nëse nuk do të vinte fitorja e Real Madridit në “Bernabeu” kundër Mallorca.
Pikërisht ajo ndeshje për të cilën foli Flick dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, sepse Mallorca bëri gjithçka për të marrë tri pikët, ose të paktën një, por fillimisht Mbappé barazoi dhe më pas nga hiçi, lojtari i akademisë Jacobo Ramon, në ndeshjen e parë si titullar në “Bernabeu” dhe me golin e tij të parë mes të mëdhenjve, shënoi në minutën e 95-të.
Ai shmangu drama të tjera dhe të parakohshme, teksa shënoi disa sekonda para se të përfundonte ndeshja. “Kemi pasur shumë raste, portieri i tyre, Leo Román, bëri një ndeshje të jashtëzakonshme, por në fund ia dolëm të fitojmë”, – komentoi heroi i mbrëmjes, që vonoi festimet e Yamal dhe shokëve të tij.
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, e komentoi kështu fitoren 2-1, që dukej e pamundur dhe erdhi kur askush nuk besonte më: “Jemi shumë të kënaqur, sepse duam ta përfundojmë mirë sezonin. Kjo ndeshje nuk nisi si duhet, por më pas skuadra bëri shumë mirë në të gjitha aspektet.
Të ngrihesh nga vështirësitë? Të kesh 12 lojtarë të dëmtuar është diçka vërtet e rrallë, ia kemi dalë të përballojmë mungesat falë një qëndrimi të mirë si në nivel kolektiv, ashtu edhe individual. La Liga? Ne besojmë vetëm te fitorja në ndeshjen tonë të ardhshme në shtëpi dhe pastaj do të shohim çfarë ndodh. Natyrisht, katalanasit do të luajnë derbin e tyre, por në futboll gjithçka mund të ndodhë”.
Gjithçka, megjithatë, është në duart e Barcelonës. Për të shtuar një trofe tjetër të La Liga-s në muzeun e saj, pas fitores së madhe ndaj Real Madridit në “El Clasico” e fundit, është vetëm çështje kohe. Vetëm një mrekulli mund ta përmbysë gjithçka, ose në njëfarë mënyre do të duhej një “vetëvrasje” totale nga Barça nga këtu deri në fund të sezonit.
Sipas llogaritjeve, për momentin avantazhi ndaj Real Madridit është 4 pikë, pas rezultatit të skuadrës së Ancelottit në “Bernabeu” (82 kundrejt 78), prandaj ekziston vetëm një rrugë për t’u shpallur matematikisht kampionë të Spanjës këtë javë: të fitojnë në transfertë kundër Espanyolit.
Derbi katalanas nuk është për t’u nënvlerësuar. Espanyoli është në luftë të plotë për mbijetesë dhe për këtë përballje ndaj Barcelonës ka përgatitur një atmosferë të zjarrtë për ta shmangur kurorëzimin e blaugranave në shtëpinë e vet, siç ndodhi dy sezone më parë. Hansi Flick ishte i qartë: duhet të fitohet derbi, pa nëse dhe pa por. Për të mos lënë vend për spekulime dhe presione të panevojshme.
Po nëse Barça nuk fiton në derbi kundër Espanyolit? Në rast barazimi do të mbetej në krye me 5 pikë avantazh dhe do të ekzistonte ende një mundësi e vogël që Real Madridi ta fitonte La Liga-n, por vetëm në rast se Barcelona i humbet të dyja ndeshjet e mbetura kundër Villarrealit dhe Athletic Bilbao, dhe nëse “Los Blancos” i fitojnë të dyja (kundër Sevilla dhe Real Sociedadit).
The post Fitore në “frymën e fundit”, Ancelotti shpreson: Në futboll, gjithçka mund të ndodhë… appeared first on Telesport.
