Gazetar: Bashkim Sulejmani

“Shumica e çezmave këtu në fshatin Strimnicë janë në këtë gjendje, pa ujë për pije në këto temperatura tropikale. Banorët ankohen se ky problem po përsëritet çdo verë ndërsa komuna nuk po merr masa”.

“Që prej një javë, unë jam lart dhe as ujë nuk kam. Paratë i kërkojnë e ujin kur të duan ata e lëshojnë. Ujë për pije unë mbushi në qytet edhe pse nuk bën për pije, po gjoja se i bëjnë analizat, ndërsa për të pastruar s’ka aspak”, tha një banor.

“Gjithnjë ka pas problem, gjithnjë. Jo prej sot, që prej kur e mori komuna ka problem, kur e kishim privat mirë ishte, por që prej kur e mori komuna që prej dhjetë vitesh problem kemi, tha një banor i strimnicës.

“Jo vetëm komuna që duhet të angazhohet por krejt, se vera i ka sfidat e veta, ardhja e mërgimtarëve shton harxhimin e ujit, por ata vijnë me ditë të numëruara, duhet të kenë nevojat e tyre që duhen”, deklaroi një banor i këtij fshati.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Zhelinës, arsyetohen me mungesën e fuqisë së pompës që përçon ujin tek banorët. Premtuan se nga sot do lëshohet pompa e re, dhe banorët do kenë ujë për pije.

“Pompa që kemi pasur në funksion deri më tani, nuk i ka arrit kapacitetet e furnizimit pra gjithë Strimnicën, dhe u desh të vendosim pompë të re. Projekti ishte i gatshëm, ishin procedura që na vonuan pak, por e vendosëm projektin e ri. Dje kemi punuar 24 orë dhe funksionalizuam pompën, e pastruam pusin dhe nuk mundëm ta lëshojmë, ndërsa sot pas punës që bënë punëtorët, do ketë ujë të pijshëm secila shtëpi në fshatin Strimnicë”, u shpreh Suad Alili, Drejtor i NPK në Zhelinë.
Pjesa më e madhe e fshatit Strimnicë të komunës së Zhelinës, ujin e pijes e sigurojnë përmes puseve që kanë hapur privatisht, sepse uji publik, gjithnjë ka pasur pengesa për ta furnizuar gjithë fshatin./Alsat.mk

 

The post Fshati Strimnicë i Komunës së Zhelinës një javë pa ujë për pije appeared first on Alsat.