Gazetar: Zekirija Haxhiu

Kryeparlamentari Afrim Gashi duke komentuar procedurat kuvendore për miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, tha se është në pritje të përfundimit të debatit në komision, që më pas ta vendosë për votim në njërën prej seancave të ardhshme. Më mirë një ligj jo perfekt se sa pa ligj thotë Gashi. Megjithatë sipas tij, janë respektuar të gjitha procedurat dhe nëse është e nevojshme në të ardhmen, mund të ndryshohen nene të caktuara varësisht mangësive që do të paraqiten gjatë zbatimit.

“Natyrisht asnjë ligj nuk është perfekt. Mund të themi se ky ligj mund të ketë mangësi në të ardhmen por mendoj se kryesisht po paragjykohet. Po prejudikohet se në këtë formë nuk do të funksionojë. Mendoj se duhet t’ia lëmë kohës. Është shumë mirë që do të kemi ligj. Nëse brenda ligjit e shihni konstruktin dhe përmbajtjen, ngritët një sistem i tërë i cili do ta implementojë apo kujdeset për implementim bazik të konceptit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat””, u shpreh kryeparlamentari Gashi.

Në fillim të korrikut në Kuvend pritet të mbërrijë edhe lista e ministrave të rinj. Nëse ndryshon një e treta e ministrave, Gashi thotë se procedura është e njëjtë sikurse e zgjedhjes së Qeverisë.

“Nëse më pak se 1/3 e ministrave ndryshohen atëherë mund të shkohet në ndryshim të një pas njëshëm. Për secilin ministër ka diskutim dhe votim ndërsa nëse propozimi është që të ndryshohen mbi 1/3 e pjesëmarrësve të qeverisë, atëherë procedura është sikur për zgjedhje të qeverisë”, tha Gashi.

Kuvendi ka agjendë të ngarkuar ditëve në vijim deri në fund të qershorit dhe është në pritje të dorëzimit të ligjeve që vijnë nga agjenda reformuese. Për këtë qëllim, Gashi paralajmëroi se do të ketë seanca edhe nesër edhe të hënën. Gjithashtu në fillim të korrikut përpos rikonstruimit, do të fillojë debati edhe për rishikimin e buxhetit, procedurë që siç sqaroi Gashi, zgjatë rreth 20 ditë dhe pritet të votohet në fund të korrikut./Alsat.mk.

The post Gashi: Ligji për Përfaqësim po paragjykohet nga opozita appeared first on Alsat.