Influencere, modele, sipërmarrëse, yll i Netflix, prezantuese e Sanremo dhe tani… youtubere. Georgina Rodriguez nuk ndalet së habituri fansat e saj. Partnerja e Cristiano Ronaldos sapo ka shpallur hapjen e kanalit të saj të parë në YouTube, “Georgina Gio”, hap tjetër në rrugëtimin e saj për të ndërtuar një markë personale të fuqishme. Në këtë kanal, Georgina do të ndajë video për modën, biznesin, stilin e jetesës dhe udhëtimet, si edhe momente nga jeta familjare dhe historia e saj e dashurisë me CR7.
Për ta lançuar, ajo publikoi tri video: një video mirëseardhjeje, një tjetër ku argëtohet me Ronaldon dhe ku tregon përgatitjet për paraqitjen e saj në Festivalin e Venecias. Rezultati? Mbi 24.000 abonentë në më pak se 24 orë. Me serinë e saj në Netflix dhe tashmë me kanalin në YouTube, 31-vjeçarja po zgjeron praninë e saj në nivel global, duke krijuar një identitet gjithnjë e më të pavarur nga ai i Ronaldos, edhe pse lidhja me yllin portugez mbetet pjesë e pandashme e historisë së saj.
Ndërkohë, vetë Cristiano Ronaldo është tashmë një fenomen në YouTube: kanali i tij “UR Cristiano”, i hapur në vitin 2024, arriti 1 milion abonentë në vetëm 90 minuta, një rekord historik. Sot ka mbi 76.7 milionë abonentë, duke u renditur në vendin e 32-të në botë. Tashmë që edhe Georgina ka hyrë në të njëjtin univers, çifti më i famshëm i futbollit pritet të dominojë edhe botën dixhitale, me një “garë” të re, këtë herë të mbushur me dashuri, luks dhe përmbajtje “virale”.
The post Georgina Rodriguez nis aventurën si “youtuber”, konkurron me CR7 edhe në botën dixhitale appeared first on Telesport.
