Steven Gerrard komentoi sanksionet e mundshme që Premier League mund t’i vendosë Manchester City për shkeljet e dyshuara financiare të periudhës 2009-2018. Ish-kapiteni i Liverpool-it nuk kërkon zbritjen e “Citizens” në Championship apo heqjen e titujve, por ndëshkime të ashpra dhe afatgjata.

“Nuk jam njeriu që do të pranonte një medalje të Premier League apo do ta kërkonte një të tillë si ajo e tyre. E kam pranuar faktin që nuk e fitova kurrë kampionatin dhe se më mungon diçka në karrierë”, – deklaroi Gerrard në emisionin “Overlap Daily”, duke iu referuar edhe sezonit 2013-2014, kur Liverpool humbi titullin ndaj City, pas rrëshqitjes së tij të famshme në ndeshjen me Chelsea.

“Duhen sanksione për disa vite. Nuk mendoj se dërgimi në Championship do të ishte i drejtë për kampionatin. Nuk do të mjaftonte, sepse do të riktheheshin shpejt konkurrues. Mendoj se duhen bllokuar transferimet dhe të vendosen penalizime në renditje për një periudhë të caktuar. Duhet t’i bëjnë të vuajnë, ashtu siç kanë bërë të vuajnë të gjithë të tjerët për 9 apo 10 vjet, duke abuzuar me pushtetin e tyre. Duhet dhënë një shembull”.

Gerrard pranoi se, po të ishte përfshirë Liverpool në një situatë të tillë, ndoshta do ta mbronte klubin e tij, por shtoi se lojtarët e City e dinë që ndëshkimet e rënda janë të nevojshme për të mirën e futbollit, të Premier League dhe imazhit të saj.

The post Gerrard kundër Manchester City: Abuzoi me Premier League për 9-10 vite, duhet të vuajë pasojat appeared first on Telesport.