Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në fshatin Kalludër e Vogël janë kryer gërmime pasi është dyshuar se gjendjen mbetje mortore të mbi 20 civilëve shqiptarë, të cilët ishin rrëmbyer në prill të vitit 1999 në Mitrovicën e Veriut. Për këtë policia e Kosovës ka arrestuar dy serb, shtetas të Kosovës, si të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Mediat në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për Momir Jakshiq 80 vjeç dhe Milko Bishevac 65 vjeç. Kryeministri Albin Kurti u shpreh se dyshimet e para janë se mbetjet janë të 23 intelektualëve nga Mitrovica të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur në fshatin Kalludër.
“Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët, pra bëhet fjalë për një territor të pa prekur prej gërmimeve”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Me urdhër të Gjykatës Themelore, institucionet janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim. Në prill të vitit 1999, 23 shqiptarë ishin rrëmbyer nga forcat policore dhe ushtarake serbe dhe ishin nisur në drejtim të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Fati i tyre që atë ditë nuk ka qenë i ditur asnjëherë. Sipas të dhënave nga Instituti i Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 13 mijë e 227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës./Alsat.mk.
The post Gjenden mbetje mortore në Zubin Potok, dyshohet të jenë të civilëve të zhdukur në 1999 appeared first on Alsat.
