-Çfarë mendoni për këtë?
Këtë komentoj, në çfarë ngjan kjo?! Duhet të mirëmbahet. Nuk mundet njëherë të bëhet dhe përgjithmonë të zgjasë.
Tashmë një kohë të gjatë gjendja në këtë shesh në hyrje të Çarshisë së Shkupit vazhdon të jetë e njëjta. Pllakat e thyera e të dëmtuara jo vetëm që prishin pamjen e kësaj zone historike, por edhe vështirësojnë qarkullimin e qytetarëve.
“Këtu jemi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një nga pikat më të frekuentuara ku siç mund të shihni prapa meje, pllakat e dëmtuara tashmë një kohe të gjatë, prishin bukurinë e kryeqytetit dhe vështirësojnë kalimin”, raporton Etnik Ratkoceri, gazetar.
Qytetarët thonë se ndërhyrjet për riparim janë të domosdoshme, pasi dëmtimet janë bërë të dukshme me kalimin e viteve. Sipas tyre, një hapësirë kaq e frekuentuar kërkon kujdes dhe mirëmbajtje të rregullt për të ruajtur karakterin dhe bukurinë e saj.
-Nuk mund të kalohet lehtë dhe pengojnë këto. Mendoj kjo është ndërtuar kohë të gjatë, ka 30 vjet 40 dhe materiali dobët sigurisht. Duhet të riparohet të mirëmbahet. Paraqet pamje të shëmtuar, këtu mendoj se nuk ka shumë punë, kjo bie në sy menjëherë në hyrje të çarshisë sepse unë jam shkupjan këtu kam lindur 80 vjet.
-Këtu më vështirë është të kalohet, ato që janë me taka të holla ato nuk kanë mënyrë të kalojnë. Ne që jemi më thjeshtë mundet! Duhet të rregullohet, duhet të rinovohet, por kur do të ndodhë kjo, nuk dimë çfarë të themi.
Ndryshe, kjo hapësirë është nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, nga ku kërkuam përgjigje. Nga atje na njoftuan se do të përgjigjen gjatë ditës së nesërme.
TV21 për të njëjtin problem ka raportuar edhe para shtatë muajve. Edhe atëherë Qyteti i Shkupit nuk dha asnjë përgjigje.
