Kombëtarja e Kosovës ka marrë një goditje të rëndë këtë të premte. Kapiteni i saj, Amir Rrahmani, ka deklaruar se do të tërhiqet nga përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rrahmani thekson se nuk do të luajë më për Kosovën, për sa kohë në krye të federatës të jenë persona të cilët nuk janë kompetentë për atë detyrë.

Postimi i Rrahmanit:
Tifozë të vërtetë të Kosovës
Pas 10 viteve në Kombëtare nga të cilat 7 vite si kapiten ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktual.
Për shkak të shumë faktorëve, kundërshtimeve të vazhdueshme dhe mungesës së njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat tona, situata ka mbetur pa përmirësime për shumë vite.
Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin.
Drejtësia do t’a vërtetojë një ditë.
KY VENDIM VJEN NGA NEVOJA PËR TË RUAJTUR INTEGRITETIN TIM SI KAPITEN DHE FUTBOLLIST PROFESIONIST, POR MBI TË GJITHA VLERAT E MIA SI NJERI.
I juaji
Amir Rrahmani
