Fitorja e thellë 6-1 ndaj Deportivo Alavés nuk e zhduk krizën e Barcelona në repartin e mbrojtjes. Sipas ‘Cadena SER’, mbrojtësit Jules Koundé, Eric Garcia dhe Andreas Christensen nuk janë rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimet e tyre dhe nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e Champions League kundër Aston Villa.
Në ndeshjen e fundit të La Liga, trajneri Hansi Flick u detyrua të gjente zgjidhje emergjente, duke vendosur Frenkie de Jong përkrah Pau Cubarsí në qendër të mbrojtjes dhe duke aktivizuar João Cancelo në krahun e majtë.
Synimi është që të paktën disa nga lojtarët e dëmtuar të jenë gati për ndeshjen e radhës në kampionat, një sfidë shumë kërkuese në transfertë kundër Atlético Madrid. Koundé, Eric Garcia dhe Christensen synojnë të jenë pjesë e skuadrës, ndonëse rikuperimi i tyre mbetet i pasigurt.
Kjo është një situatë që Flick duhet ta ndjekë me vëmendje gjatë një momenti vendimtar të sezonit, ndërsa Barça përpiqet të balancojë angazhimet mes Europës dhe kampionatit.
Kundër Aston Villa, Flick do të duhet të përballet sërish me një repart mbrojtës të cunguar rëndë dhe ka gjasa të vazhdojë me disa nga zgjidhjet emergjente që janë testuar tashmë në kampionat.
Objektivi i Barçës është ta kalojë këtë përballje evropiane pa dëme dhe të rikuperojë lojtarët në kohë për duelin ndaj Atlético, një ndeshje ku çdo gabim mund t’u kushtojë atyre vendin e parë në renditjen e La Liga.
The post Hansi Flick në telashe: Gjysma e mbrojtjes e dëmtuar, Barcelona me “paterica” në ndeshjen e Champions appeared first on Telesport.
