Duka dhe Dukesha e Sussex-it nuk do të jenë anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore dhe nuk do të kryejnë detyra zyrtare tani që janë rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në një letër të dërguar në emër të Mbretit Charles.

Letra synon të qartësojë statusin e Princ Harry-t dhe Meghan-it, të cilët muajin e kaluar u rikthyen nga Kalifornia në Britaninë e Madhe së bashku me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.

Sipas letrës, ata nuk do të mund të përdorin titujt “HRH”, që nënkuptojnë “Shkëlqesia e Tij” dhe “Shkëlqesia e Saj Mbretërore”, ndërsa konsiderohen “qytetarë privatë me interesa tregtare dhe bamirësie”. Dokumenti është dërguar në emër të Mbretit nga Lord Chamberlain, një prej zyrtarëve më të lartë të Pallatit, dhe u është përcjellë ekipit të Princ Harry-t, si dhe qeverisë, ushtrisë dhe përfaqësuesve mbretërorë lokalë.

Këta zyrtarë luajnë rol në organizimin e vizitave dhe angazhimeve mbretërore, ndaj letra e bën të qartë se çdo aktivitet i Harry-t dhe Meghan-it në Britani do të zhvillohet në cilësinë e tyre private dhe nuk do të përfaqësojë Familjen Mbretërore. Me sa duket, mesazhi synon të shmangë çdo paqartësi dhe të bëjë të qartë se vizitat e çiftit nuk duhet të trajtohen si angazhime zyrtare mbretërore.

Sqarimi vjen përpara disa paraqitjeve publike që priten nga Harry dhe Meghan këtë vjeshtë, ndërsa ata vendosen në Britaninë e Madhe dhe vijojnë të mbështesin aktivitetet e tyre bamirëse.

Mesazhi i Mbretit thekson se marrëveshja e arritur në vitin 2020, kur Harry dhe Meghan u tërhoqën nga detyrat mbretërore, e njohur si “Marrëveshja e Sandringham-it”, vazhdon të jetë në fuqi. Marrëveshja përjashtonte mundësinë e një statusi “gjysmë brenda, gjysmë jashtë”, që do t’u lejonte atyre të ndiqnin interesat e tyre tregtare, ndërkohë që vazhdonin të ushtronin funksione si anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore.

“Dihet mirë se në janar të vitit 2020, Duka dhe Dukesha hoqën dorë nga kryerja e detyrave përfaqësuese në emër të Sovranit dhe nuk janë më anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore”,

 thuhet në letër.

Dokumenti i dërguar në emër të Mbretit e bën të qartë se kjo situatë nuk ka ndryshuar. “Aktivitetet bamirëse të Dukës dhe Dukeshës janë një çështje personale për të dy dhe zhvillohen në cilësinë e tyre private”, thuhet më tej.

Pallati ka sqaruar gjithashtu se çdo organizatë që ka pyetje lidhur me mënyrën se si duhet të priten Harry dhe Meghan, veçanërisht në rastet kur mund të përfshihen fonde publike, duhet t’i drejtohet Pallatit Buckingham.

Ndërkohë, vijojnë të mbeten të pazgjidhura disa mosmarrëveshje lidhur me sigurinë e Princ Harry-t dhe Meghan-it gjatë qëndrimit të tyre në Britani. Në letër thuhet se “çdo çështje që lidhet me sigurinë operacionale duhet të vazhdojë t’u drejtohet autoriteteve përkatëse të policisë”.

Burimet nga Pallati kanë bërë të ditur se u konsiderua më e përshtatshme që letra të bëhej publike, në emër të transparencës, sesa të rrezikohej që përmbajtja e saj të dilte në media përmes rrjedhjeve të informacionit.

Përfaqësuesit e Princ Harry-t dhe Meghan-it janë kontaktuar për të dhënë një reagim lidhur me këtë zhvillim.