Një raketë balistike iraniane është rrëzuar në hapësirën ajrore të Turqisë, sipas ministrisë turke të Mbrojtjes, përcjell TV21. Ministria ka thënë se raketa u shkatërrua nga sistemet mbrojtëse të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor, duke shtuar se copëza të municionit kanë rënë në fusha të zbrazëta në Gaziantep, në juglindje të Turqisë.
“DEKLARATË PËR RAKETËN BALISTIKE QË U NEUTRALIZUA NË HAPËSIRËN AJRORE TË TURQISË. Një municion balistik i nisur nga Irani dhe që hyri në hapësirën ajrore të Turqisë u neutralizua nga asetet ajrore dhe mbrojtëse raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor. Disa mbetje nga municioni ranë mbi tokë të hapur në Gaziantep. Nuk ka të lënduar ose viktima. Turqia i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, ne përsërisim se të gjitha masat e nevojshme do të merren vendosmërisht dhe pa hezitim kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë. Ne gjithashtu rikujtojmë se është në interesin e të gjithëve të marrin seriozisht paralajmërimet e Turqisë në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë”, thuhet në reagim.
Ky është incidenti i dytë i tillë brenda një jave. Ankaraja zyrtare ka thënë se sistemet mbrojtëse të NATO-s rrëzuan një raketë balistike që po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke edhe të mërkurën.
Mirëpo Teherani zyrtar e ka mohuar se kishte lëshuar raketën.
Incidenti “serioz” bëri që shefi i NATO-s Mark Rutte të deklarojë se Neni 5 nuk është aktualisht në diskutim, mes frikës se vendet anëtare mund të përfshihen drejtpërdrejt në luftë.
Neni 5 i NATO-s thotë se nëse një aleat i NATO-s sulmohet ushtarakisht, çdo anëtar tjetër i aleancës do ta konsiderojë këtë si sulm ndaj të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar vendin e sulmuar.
