Inspektorati Shtetëror i Transportit ka marrë automjete të specializuara, softuer për monitorimin e mjeteve dhe trajnime për inspektorët, si pjesë e një donacioni nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se pajisjet e reja do të mundësojnë mbikëqyrje më efikase, rritje të sigurisë në trafik dhe mbrojtje më të mirë të infrastrukturës rrugore.
“Me këtë donacion, Inspektorati Shtetëror i Transportit merr një dimension të ri. Nuk bëhet fjalë vetëm për automjete, por edhe për teknologji moderne dhe njohuri që do të ndihmojnë në punën e inspektorëve”, deklaroi Nikolloski.
Ai shtoi se krahas ndërtimit të rrugëve të reja dhe autostradave, është e nevojshme të respektohen rregullat për të ruajtur investimet dhe për të rritur sigurinë në komunikacion.
