Federico Dimarco po kalon një formë të shkëlqyer në fillim të sezonit dhe Inter po përgatitet t’i shpërblejë paraqitjet e tij me një kontratë të re afatgjatë.

Sipas mediave italiane, zikaltrit janë në bisedime për të zgjatur marrëveshjen e mbrojtësit të majtë deri në vitin 2029 ose 2030, duke i shtuar të paktën dy vite kontratës aktuale që skadon në qershor të vitit 2027.

Dimarco, i cili do të mbushë 28 vjeç muajin e ardhshëm, ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Interit këtë sezon nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu. Ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë tre asistime në gjashtë ndeshje të Serie A-s, ndërsa është edhe lider në kampionat për krosime të sakta (23) dhe raste të krijuara (22).

I rritur në akademinë e Interit dhe tifoz i klubit që në fëmijëri, Dimarco nuk ka asnjë dëshirë të largohet nga “San Siro” dhe pritet të mbetet një nga shtyllat e skuadrës për vitet e ardhshme.

The post Interi gati t’i zgjasë kontratën yllit të skuadrës appeared first on Alsat.