Instituti për Shëndetësi Publike ka publikuar rekomandime të hollësishme për qytetarët e Gostivarit, pas ndalesës së lëshuar më 17 korrik nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari për përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi ujësjellës i qytetit, për shkak të dyshimit të bazuar se uji është i ndotur dhe i pasigurt.
Deri në njoftimin zyrtar për heqjen e ndalesës, uji nga ujësjellësi qytetës nuk duhet përdorur për pije, madje as pas vlimit, përveç nëse institucionet kompetente japin rekomandim tjetër.
Qytetarëve u kërkohet të mos e përdorin ujin e rubinetit për pije dhe përgatitje ushqimi, dhe në vend të tij të sigurojnë ujë të paketuar, të paktën 4 litra për person në ditë. Ndalohet përdorimi i ujit të rubinetit për larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta, për përgatitjen e akullit, lëngjeve, kafesë apo çajit, si dhe për përgatitjen e ushqimit për foshnjat.
Rekomandohet larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë të sigurt, veçanërisht para përgatitjes së ushqimit dhe pas përdorimit të tualetit. Për higjienën personale dhe larjen e dhëmbëve duhet përdorur vetëm ujë i paketuar, ndërsa restorantet, kafenetë dhe objektet hotelierike janë të obliguara të mos përdorin ujë të rubinetit për pije apo larje ushqimi, dhe të mos i përdorin makinat për akull. Në çerdhe, fëmijët duhet të pinë ekskluzivisht ujë të paketuar.
Instituti apelon që në rast të shfaqjes së diarresë, të vjellave, dhimbjeve të stomakut apo temperaturës së lartë, qytetarët të drejtohen menjëherë te mjeku amë ose institucioni shëndetësor më i afërt, me kujdes të veçantë ndaj foshnjave, grave shtatzëna, personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike.
Uji nga ujësjellësi qytetës do të mund të përdoret sërish për pije vetëm pas njoftimit zyrtar se ndalesa është hequr dhe se uji është i sigurt. Pas heqjes së ndalesës, qytetarët këshillohen ta lënë ujin të rrjedhë 5 deri 10 minuta, të pastrojnë pajisjet e ujit dhe të hedhin akullin e prodhuar gjatë periudhës së ndalesës.
