Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se keqpërdorimet në institucionet e arsimit të lartë duhet të zbulohen dhe të sanksionohen, duke komentuar hetimin për manipulime të dyshimta me notat dhe pikët e provimeve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.
Sipas Janevskës, ndonëse sistemet elektronike mundësojnë kontroll më të madh, gjithmonë ekziston mundësia e keqpërdorimit nga personat që kanë qasje në to.
“Gjithmonë do të ketë individë që do ta keqpërdorin sistemin, por e rëndësishme është që Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtësia funksionojnë. Personi është zbuluar, po zhvillohet hetim dhe më tej do të përballet me të gjitha pasojat për aktivitetet e paligjshme që ka kryer”, deklaroi ministrja.
Ajo u bëri thirrje studentëve, punonjësve universitarë dhe qytetarëve që të raportojnë çdo dyshim për veprime të paligjshme në institucionet arsimore.
Janevska theksoi se Inspektorati Shtetëror i Arsimit po vepron në bazë të denoncimeve të pranuara dhe se për disa raste tashmë janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore. Në rastin konkret, siç sqaroi ajo, kompetencat i takojnë policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, konfirmoi se aksioni policor ishte zhvilluar në bazë të dyshimeve dhe provave të siguruara për ndërhyrje të mundshme të paligjshme në notat e studentëve.
“Personi dyshohet se, në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime të caktuara për korrigjimin e notave të studentëve në Universitet”, deklaroi Toshkovski, duke shtuar se janë siguruar prova të cilat do të jenë pjesë e procedurës së mëtejshme.
Ekipet policore kanë kryer bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të hetimit ndaj përgjegjësit të sektorit të teknologjisë informative në Universitet, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin elektronik.
Sipas informacioneve fillestare, rasti ishte denoncuar nga studentë nga Turqia. Një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe para disa muajsh, kur një profesoreshë ishte kapur me para të shënuara, në lidhje me dyshimet për marrje ryshfeti për kalimin e një provimi.
Nga Universiteti “Goce Dellçev” njoftuan se kanë zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve në komunitetin akademik, si dhe se po bashkëpunojnë plotësisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë kompetente.
Hetimi vazhdon, ndërsa përgjegjësia përfundimtare e të dyshuarve do të përcaktohet gjatë procedurës së mëtejshme.
