Gazetare: Melihate Rustemi

Studentët mbi moshën 30-vjeçare nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë për akomodim në konviktet shtetërore, ndërsa ata që shkelin rëndë rregullat e brendshme do të përballen me ndalim të akomodimit deri në pesë vjet. Këto janë ndryshimet kryesore që Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon në Ligjin për Standardin Studentor, i cili pritet të miratohet gjatë këtij muaji. Ministrja Vesna Janevska tha se kufizimi i moshës vendoset për t’i dhënë fund praktikës së disa studentëve që, duke ripërsëritur vitet e studimit, kanë vazhduar të shfrytëzojnë konviktet për periudha shumë më të gjata nga sa parashikohet. Ndryshimet parashohin edhe masa më të rrepta disiplinore. Studentët që dëmtojnë inventarin, përdorin alkool apo substanca të ndaluara ose shfaqin sjellje të dhunshme, kërcënuese apo diskriminuese, mund të përjashtohen nga konviktet për një periudhë prej një deri në pesë vjet, varësisht nga shkelja e kryer.

“ I ripërsërisin vitet e studimeve dhe kështu vazhdojnë të përfitojnë shërbimet e konviktit. Këtë praktikë po e ndalojmë duke vendosur kufirin maksimal të moshës prej 30 vjetësh për studentët që aplikojnë për akomodim. Ndryshimi i dytë është vendosja e një mase ndëshkuese, ndalim nga një deri në pesë vjet për akomodim në konvikt për studentët që kryejnë shkelje të rënda të rendit shtëpiak. Këtu përfshihet dëmtimi i inventarit, kapja me alkool ose substanca të tjera, si dhe sjellja fyese, kërcënuese, agresive ose e dhunshme, keqtrajtimi fizik apo psikik, ngacmimi, diskriminimi ose çdo sjellje tjetër e papërshtatshme”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Janevska bëri të ditur se paralelisht po vazhdojnë investimet në infrastrukturën studentore. Dy konviktet në Shkup, “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Stiv Naumov”, po rikonstruktohen sipas standardeve evropiane dhe pritet të jenë gati në muajin tetor, ndërsa procedurat janë në zhvillim edhe për rinovimin e shtatë konvikteve të tjera. Ajo paralajmëroi edhe masa ndaj drejtuesve të konvikteve ku janë konstatuar parregullsi në menaxhim. Sipas saj, gjetjet e revizionit do t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa në disa konvikte do të ketë ndryshime në udhëheqje. Sipas Janevskës, me mbështetje financiare prej 86 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, Banka Gjermane për Zhvillim dhe buxheti i shtetit, do të rinovohen gjithsej nëntë konvikte studentore dhe nëntë qendra burimore për fëmijët me aftësi të kufizuara.

 

The post Janevska: Studentët mbi 30 vjeç nuk do të pranohen më në konviktet shtetërore appeared first on Alsat.