Dy javë pas shkarkimit të trajnerit të tyre, Robbie Savage, klubi i Forest Green Rovers, që bën pjesë në National League (Kategoria e Pestë në Angli), ka vendosur të mos emërojë një trajner të ri.
Presidenti i Forest Green Rovers, Dale Vince, po bën një eksperiment të guximshëm, duke mos zgjedhur një trajner të ri, pas largimit të trajnerit të mëparshëmm, dy javë më parë, për shkak të rezultateve të dobta.
I njohur për qasjen e tij ndryshe, presidenti i klubit, Dale Vince, beson se trajnerët me ego të madhe shpesh marrin vendime të dobëta që nuk e ndihmojnë ekipin. Tani klubi do t’i lejojë anëtarët aktualë të stafit teknik të drejtojnë punët së bashku në ndeshjet e ardhshme, për të parë se si funksionon kjo.
“Mendoj se jemi mirë edhe pa trajner. Ajo që vërej në futboll është se ekipet drejtohen nga trajnerë me ego të madhe dhe nuk jam i sigurt nëse ata marrin gjithmonë vendimet më të mira.
Do të provojmë diçka ndryshe për të parë nëse mund të arrijmë një rezultat më të balancuar për sa i përket vendimmarrjes”, tha Vince BBC Radio Gloucestershire.
Forest Green ka pesë javë pa fitore në kampionat dhe renditet në vendin e 16-të, pozitë aspak komode. Sfida e tyre e radhës është në raundin e katërt kualifikues të Kupës FA, në transfertë kundër Chesham United, të shtunën më 17 tetor. Një humbje në këtë ndeshje do të dëmtonte edhe më tej moralin e skuadrës gjatë kësaj periudhe të vështirë.
The post “Jemi më mirë pa trajner”, klubi anglez merr vendimin drastik dhe “shpik” një mënyrë të re drejtimi appeared first on Telesport.
