NJPB Strugë ka paraqitur kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra (66), për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Sipas policisë, Qyra, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strugës, në kundërshtim me Ligjin për arsimin fillor, ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të një shkolle fillore komunale dhe më pas ka emëruar një person tjetër si ushtrues detyre të drejtorit.

Policia thotë se ai e ka bërë këtë edhe pse e dinte se personi i emëruar nuk i plotësonte në tërësi kushtet e përcaktuara me nenin 118 të Ligjit për arsimin fillor.

Parregullsitë janë konstatuar edhe gjatë një mbikëqyrjeje inspektuese të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.