Gazetar: Zekirija Haxhiu

Pavarësisht paralajmërimeve nga Komisioni Evropian se Maqedonia e Veriut ka ngecur në realizimin e reformave në kuadër të agjendës reformuese, nga Qeveria janë të kënaqur me punën që janë duke bërë. Deklaratat e raportuesit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc i cili tha se vendi mund të humbasë 47 milion euro nga plani për zhvillim, zv.kryeministri i parë Bekim Sali i quan si paralajmërime për periudhën që vijon dhe nuk kanë të bëjnë për punën e deritanishme. Sali pret raport pozitiv nga Komisioni Evropian deri në fund të qershorit pasi siç thotë, gjashtë nga dhjetë pika nga agjenda i kanë kah fundi i realizimit.

“Deri më tani, 6 nga 10 pika janë të përmbushura, dhe në 4 pika jemi duke u koordinuar mes institucioneve për të plotësuar ato obligime që kemi marrë përsipër. Natyrisht jashtë këtyre hapave kemi dhe hapa të tjera të cilat janë në fazën reale për ti plotësuar. Ato nuk janë futur në grejs periudhë që dmth se edhe nëse nuk plotësohen deri në qershor ato kanë afat deri në fund të vitit t’i plotësojmë duke mos humbur qasjen tonë deri te fondet e KE-së të cilat janë të garantuara për çdo pikë në veçanti”, deklaroi Bekim Sali, zv.kryeministër i parë dhe ministër i eurointegrimeve.

Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas nuk ka parashikime lidhur me raportin por shprehet se janë duke bashkëpunuar me çdo ministri për të përmbushur kërkesat.

Kështu funksionon sistemi i agjendës reformuese, nëse afatet skadojnë dhe detyrimet nuk përmbushen, fondet humbasin. Aktualisht, qeveria dhe ministritë përkatëse po punojnë shumë për t’i realizuar këta 10 hapa. Ishte një paralajmërim, dhe nuk iu drejtua vetëm Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera kandidate që zbatojnë agjendën e reformave. Po bëhet një punë intensive, por nuk mund të parashikoj rezultatin, duhet të presim deri në fund të qershorit për të parë”, theksoi Mihalis Rokas, ambasador i Bashkimit Evropian në Shkup.

Raportuesi për Maqedoninë Tomas Vajc bëri të ditur gjithashtu se ndryshimet kushtetuese janë kusht pa të cilat negociatat assesi nuk do të mund të vazhdojnë. Si reformat më të rëndësishme për inkuadrim në Bashkimin Evropian, Vajc përmendi sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, sigurimin e një gjyqësie të pavarur, biznesi i lirë dhe zhvillimi i vendit./Alsat.mk.

The post “Kemi përmbushur gjashtë pika”, Sali i përgjigjet paralajmërimeve të Vajc appeared first on Alsat.