Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka ritheksuar se qëndron i përkushtuar për të kontribuuar për të ofruar siguri për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Në një deklaratë të lëshuar vonë të martën, KFOR-i ka thënë se nuk heziton të veprojë ndaj çfarëdo zhvillimi që mund të ketë.
“Kemi prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovës dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës, dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, ka theksuar KFOR.
Ka përsëritur se ka praninë në urën mbi lumin Ibër dhe se kryen patrullime të rregullta, duke shtuar se vendimi për të duhet të merret në kuadër të dialogut politik.
“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar”, ka theksuar më tej.
KFOR-i ka kërkuar përmbajtje nga deklaratat nga të gjithë akterët dhe nga veprimet “e njëanshme që mund të krijojnë tensione”.
“KFOR-i është i pajisur dhe pozicionuar mirë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar ta përmbushë misionin e mandatuar nga OKB-ja”.