U mblodhën në një Kongres ndërkombëtar doktorët më eminentë të kirurgjisë plastike në Shkup. Në “Skopje Flap Course” të organizuar nga MARM, përveç tjerash u tha se abuzimi i personave jo kompetent me botox e fillerë nëpër sallonet kozmetike dhe të ondulimit ka bërë që shumë pacientë të përfundojnë me pasoja shëndetësore. Sofija Pejkova, nga Asociacioni i Kirurgëve Rekonstruktiv të Maqedonisë, tha se qytetarët duhet të kenë shumë kujdese nga injektimet e pa certifikuar dhe nga persona jo mjekësorë.

“Ne jemi këtu për edukimin e specializantëve të rinj në mikrokirurgjinë rekonstruktive, një disiplinë shumë serioze dhe e rëndë kështu që tu mbetet atyre që e bëjnë!
-A është në rregull të bëjnë atë?
Absolutisht, secili duhet ta bëjë punë me profesionalizëm prandaj ne këtu bëjmë edhe trajnimet”, tha Sofija Pejkova – Presidente e Asociacionit të kirurgëve rekonstruktiv të Maqedonisë.

Edhe kirurgu plastik italian Marko Innocenti u shpreh kundër këtyre ndërhyrjeve estetike nga persona jo kompetent dhe nga materiale të pa licencuara mjekësore, madje ai përgëzoi ndërhyrjen e autoriteteve.

“Po, mendoj se është shumë e rrezikshme sepse praktika e mira përbën sens, problemi është kur bëhen këto mbushje të rrezikshme, nga persona jo të specializuar, madje as doktorë por diçka të ngjashëm! Kjo hap një skenar shumë të rrezikshëm dhe duhet të kontrollohet nga autoritete kompetente sepse çdo formë tjetër mund të jetë e rrezikshme”, u shpreh Marko Innocenti – kirurg plastik rekonstruktiv.

Alarmin që pati ngritur TV21 para një viti, u bë lëndë edhe e organeve të hetuesisë. 14 persona, mes tyre edhe mjekë, u arrestuan nën dyshimin për kontrabandë të produkteve mjekësore për ndërhyrje estetike, botoksë dhe fillerë. Aksioni i gjerë policor, i zhvilluar pas një hetimi disa mujor, përfshin gjithsej 19 persona dhe 6 kompani, të dyshuara për bashkim kriminal, shkelje të pronësisë industriale dhe marrje ryshfeti.