Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e gjithë vendit janë privuar nga liria 13 persona për shkak të “drejtimit të pakujdesshëm të automjetit”. Prej tyre, 11 kanë drejtuar automjete pa patentë shoferi, nga Velesi, Shkupi dhe Prilepi, ndërsa dy shoferë, nga Kumanova dhe Shkupi, kanë drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit, njoftoi MPB-ja.

Gjithashtu, te një shofer nga Shkupi, i cili drejtonte automjet pa patentë shoferi, është konstatuar se targa e përparme e automjetit nuk i përkiste atij automjeti.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të dorëzohen kallëzime penale përkatëse.

“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me kontrollet e intensifikuara në komunikacion, me qëllim sanksionimin e shoferëve të papërgjegjshëm dhe parandalimin e sjelljeve që rrezikojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektimi i rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, posedimi i patentë-shoferit të vlefshëm dhe drejtimi i automjetit në gjendje të kthjellët janë bazë për një komunikacion të sigurt”, thuhet në njoftimin e MPB-së.