Kordon i madh policor në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ekipet mediatike mbahen larg vendit të tragjedisë

Forca të shumta policore vazhdojnë të mbajnë të bllokuar zonën ku ndodhi aksidenti tragjik në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona humbën jetën pas përplasjes së fuqishme mes një veture BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.

alsat.mk

Policia aktualisht nuk po lejon afrimin e ekipeve mediatike në vendin e ngjarjes, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, prokurori i rastit ende nuk ka dhënë leje për hyrje më afër pikës ku po zhvillohen hetimet. Kordoni policor është zgjeruar në disa qindra metra, ndërsa në terren shihen patrulla të shumta policore, ekipe hetimore, zjarrfikës dhe një autoambulancë. Për shkak të hetimeve intensive, rruga kryesore që lidh Kosovën me hyrjen veriore të Shkupit vazhdon të mbetet e bllokuar.

Automjetet që vijnë nga Kosova po devijohen në rrugë alternative, pasi qafa zbritëse drejt zonës industriale dhe hyrjes për në qendër të Shkupit nuk lejohet të përdoret. Po ashtu, policia nuk po lejon lëvizjen e automjeteve as në drejtim të Kosovës dhe as nga Kosova drejt pjesës industriale që çon për në kryeqytet, duke detyruar shoferët të përdorin dalje dytësore dhe rrugët anësore.

Dy ekipe xhirimi të ALSAT ndodhen në vendngjarje në përpjekje për të raportuar më nga afër mbi zhvillimet, megjithatë për shkak të masave të sigurisë dhe hetimit në vazhdim, qasja në pikën kryesore të aksidentit mbetet e pamundur. Nga informacionet paraprake, dyshohet se drejtuesi i kamionit kishte humbur vetëdijen nga lodhja dhe kishte kaluar në korsinë e kundërt, duke shkaktuar përplasjen fatale me veturën BMW, e cila më pas u përfshi nga flakët.

Viktimat ende nuk janë identifikuar zyrtarisht, ndërsa nga pamjet filmike të sistemit “Safe City” automjeti rezulton të ketë qenë me targa të Shkupit. Hetimet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit. /Alsat.mk

The post Kordon i madh policor në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ekipet mediatike mbahen larg vendit të tragjedisë appeared first on Alsat.