Kosova është prezente në skenën e “Eurovision Song Contest” përmes krijimtarisë së dizajnerëve të saj, ndonëse nuk merr pjesë si shtet në garë.

Dy dizajnerë nga Kosova, Valdrin Sahiti dhe Drenusha Xharra, kanë veshur prezantuesen e finales së Eurovisionit, Victoria Swarovski, gjatë spektaklit që po zhvillohet në Vjenë.

Sipas mediave ndërkombëtare, Valdrin Sahiti ka dizajnuar një fustan në ngjyrë smerald-jeshile me detaje që theksojnë linjat elegante të trupit, ndërsa Drenusha Xharra është autore e një fustani ngjyrë vjollcë që prezantuesja ka veshur gjatë mbrëmjes finale.

Po ashtu, pritet që gjatë spektaklit të prezantohet edhe një tjetër krijim i Sahitit, një fustan në ngjyrë argjendi me stil “Old Hollywood”, i cili është cilësuar si një nga paraqitjet më të veçanta të natës në Eurovision.