Vendimet e Gjykatës bazohen ekskluzivisht në respektimin e procedurave ligjore dhe jo në interesa politike apo etnike, tha kryetari i Kushtetueses – Darko Kostadinovski, duke iu referuar reagimeve për rastin e emërtimit të rrugëve të Tetovës. Ai tha se institucioni nuk mund të legjitimojë vendime të marra jashtë procedurave të parashikuara, pasi një qasje e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm për të gjitha komunat në vend. Ai hodhi poshtë edhe akuzat se vepron mbi baza etnike, duke rikujtuar se në raste të mëparshme Gjykata kishte marrë vendime në favor të komunave ku procedurat ligjore ishin respektuar.

“Shumë shpesh më kualifikojnë si antishqiptar. Në atë komunikatë kam përmendur dy shembuj – për rrugët në Qytetin e Shkupit dhe në Çair. Përse atëherë Gjykata Kushtetuese vendosi të mos hapë procedurë. Pse? Sepse ishte respektuar procedura ligjore. Atëherë çfarë isha unë – pro-shqiptar? Në njërën prej atyre lëndëve isha gjyqtar raportues. Atëherë paskam qenë pro-shqiptar, ndërsa tani për Tetovën jam antishqiptar. Është absurde dhe pa kuptim”, tha Darko Kostadinovski.

Kostadinovski, deklaroi se kritikat dhe sulmet që vijnë nga politika dhe institucione të caktuara shtetërore ndaj Gjykatës i sheh si tregues se institucioni po e kryen si duhet misionin e tij kushtetues.

“Sulmet nga politika dhe disa institucione shtetërore ndaj Gjykatës Kushtetuese i konsideroj si kompliment për punën e gjykatës. Meqë ata janë nervoz do të thotë se mirë e kryejmë punën”, deklaroi Darko Kostadinovski.

Duke folur për shfuqizimin e “balancuesit”, Kostadinovski vlerësoi se vendimi nuk cenon të drejtat kushtetuese të qytetarëve, por hap rrugën që punësimi në administratë të mbështetet në profesionalizëm dhe në respektimin e parimeve kushtetuese.