Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se zgjedhjet lokale do t’i kushtojnë Kosovës 16 milionë e 126, 364 euro, por që ky institucion ka vetëm mbi nëntë milionë, ndërsa për pjesën tjetër do t’ia kërkojë Ministrisë së Financave.
KQZ miratoi planin e buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale 2025. Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja është në vlerën: 16,126,364 euro, derisa ata kanë vetëm 9 milionë 657.952 euro. Kurse, pjesa tjetër i mbetet Qeverisë së Kosovës për ta plotësuar.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e kufizimin e shpenzimeve të lejuara për fushatën zgjedhore, ku Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, propozojnë që KQZ të miratojë shpenzimet e lejuara me një euro dhe për komunat me më pak se 10 mijë banorë me një euro e gjysmë.
“Janë kalkuluar për më shumë se 10 mijë votues, kufizimi i shpenzimeve vlen një euro për votues, ndërsa deri në 10 mijë votues është një euro e 50 centë, pra vlera totale është 2 milionë e 99 mijë, 767. Kufizimi i shpenzimeve vlen për ato subjekte politike që certifikohen për ato komuna përkatëse dhe në ato komuna, ato nuk mund të tejkalojnë shpenzimet e fushatës”, tha ai, duke shtuar se këto kufizime kanë të bëjnë për të gjitha blerjet dhe shpenzimet që partitë politike bëjnë në emër të fushatës që ndodh në periudhën 30 ditore.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi tha se kjo shumë duhet të jetë vetëm për 30 ditë e jo më shumë, pasi nëse merren për bazë edhe më shumë se tridhjetë ditë, i bije që do të jenë shumë e vogël e shpenzuar për fushatë.
“Ne nuk guxojmë që me kufizimet tona, të bëjmë një ngulfatje të shpenzimeve të subjekteve politike, apo kandidat të caktuar, të bëjnë veprime tjera ndoshta të jashtëligjshme, dhe pastaj t’i ikim deklarimit. Prandaj nuk guxojmë t’i ngufasim kaq shumë sepse një periudhë 4 mujore është e gjatë që subjektet politike të shërbehen vetëm me një euro, pra është fakt që ose duhet të rritet ose kjo shumë duhet të mbetet vetëm për periudhën 30 ditore”, tha ai.
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se ky propozim duhet të rishikohet.
“Në zgjedhjet parlamentare numri i kandidatëve është më i vogël, por në zgjedhje lokale janë tetë fish më shumë, andaj edhe duhet të rishikohet kjo pjesa e shpenzimeve, që të jenë transparente dhe mos ta ngufasim shpenzimet, ku me një përllogaritje të thjesht del se 20 euro është në ditë niveli i shpenzimeve të lejuara për një kandidat, minimumi nja 5 euro i shkojnë shpenzime të veta atij”, tha ai.
Anëtarët e KQZ-së propozuan që për komunat me më pak se 10 mijë votues, shpenzimi me qen 1 euro e gjysmë në ditë për shpenzimet për fushatë zgjedhore brenda një komune.
Muharrem Nitaj nga AAK tha se shuma që po tentohet të kufizohet është qesharake kur dihet se subjektet.
“Ne mundemi me lënë 1 euro, ne mundemi ta bëjmë edhe një hero e gjysmë, por edhe vlera e parë, edhe e dyta janë qesharake në kohën që e dimë se sa e kushtueshme është një fushatë për partitë politike. Ne nëse vendosim një euro, i detyrojmë partitë politike të krijojnë sistem paralele të fushatave të tyre që kalon disa herë atë që parashihet, andaj duhet të jemi real dhe duhet të kemi një shumë që është e arsyeshme, fundi i fundit ato janë mbetet e tyre, ne më shumë duhet të shqetësohemi burimin për nga i marrin ata se sa si i shpenzojnë ato pare që i kanë”, tha ai.
KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në atë komunë.
Subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.
Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.
Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vendin tonë është 2,071,544 votues.
