Komuna e Gostivarit ka filluar me realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore të cilat i fitoi nga thirrja e parë e Qeverisë. Siç njoftoi u.d. kryetari Valbon Limani, tashmë ka nisur realizimi i 3 nga gjithsej 13 projekte në vlerë të 2.7 milionë eurove.
Limani sot vizitoi punimet në rrugën “13” përballë shkollës së muzikës. Ai sqaroi se në këtë rrugë zgjerohen punimet nga projekti fillestarë, pasi do të ndërrohet edhe gypi i ujësjellësit në gjatësinë e gjithë rrugës.
“Sot kemi dalur për të inspektuar punimet te një nga 13 projektet që kemi fituar si grante prej Qeverisë. Bëhet fjalë për rrugë ‘13’ ku përveç asflatimit që ishte i paraparë me projektet e Qeverisë, ne do të bëjmë edhe ndërrimin e gypit të ujësjellësit, investim ky nga ana e Komunës së Gostivarit”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Limani poashtu bëri të ditur se disa nga projektet më të mëdha të financuara nga Qeveria, do të fillojnë të realizohen këto ditë, sikurse është bulevardi kryesorë i qytetit dhe rruga “Beliçica”.
“Gjithashtu punohet edhe në dy lokacione të tjera. Për momentin punime zhvillohet te rruga e vjetër e Balindollit dhe te rruga ‘Nikolla Teslla’. Ditëve në vijim do të fillohet edhe në tre lokacione të tjera të punohet. Së shpejti, për dy apo tre javë do të fillojnë edhe dy prej projekteve më të mëdha njëri nga lagja ‘Maleardi’ deri te ura te Gjykata Themelore, dhe projekti me Bankën Botërore që kemi e që bëhet falë për rrugën ‘Beliçica’ ”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Vendosja e gypit të ri të ujësjellësit dhe asfaltimi i rrugës “13” pritet të jetë gati në fund të muajit prill. Aty, aktualisht është larguar asfalti i vjetër dhe eskavatori i ndërmarrjes publike “Komunalec” po punonte për rregullimin e instalimeve nëntokësore nga ku do të kalojë edhe gypi i ujësjellësit.
Vlera e investimit të kësaj rruge kap shifrën e 6.5 milionë denarë, prej të cilave 4.5 milionë janë për asfaltim dhe 2 milionë denarë për gypin e ri të ujësjellësit.
Ndryshe, 13 projektet e fituara nga Qeveria nga ana e Komunës së Gostivarit janë me vlerë prej afërsisht 2.7 milionë euro. Nga thirrja e dytë qeveritare, ajo pret të fiton edhe 40 projekte të reja.
