Pas humbjes 4-1 ndaj Belgjikës në Bruksel dhe vendit të tretë në grup, Italia e Roberto Mancinit përgatitet për kualifikueset e “Euro 2028”. Pavarësisht eliminimit nga “Nations League”, axurrët do të jenë në vazon e parë të shortit, i cili do të hidhet më 6 dhjetor, ora 18:00, në Belfast.
Do të formohen 12 grupe; 6 prej të cilave me nga 4 skuadra dhe 6 të tjera me nga 5 skuadra. Ndeshjet do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor 2027. Vendi i tretë i siguron Italisë shmangien e shumë favoritëve në short, por sjell edhe dy disavantazhe: mundësinë për të luajtur 8 ndeshje, në vend të 6, dhe mungesën e një garancie për pjesëmarrjen në “play-off” përmes “Nations League”.
Në vazon e dytë, kundërshtarët më të rrezikshëm janë Zvicra, Suedia dhe Bosnja, ndërsa në të tretën spikasin Skocia, Sllovakia dhe Maqedonia e Veriut. “Euro 2028” do të organizohet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda. Nga 24 vendet në dispozicion, 20 do të sigurohen drejtpërdrejt: 12 fituesit e grupeve dhe 8 vendet e dyta më të mira.
4 biletat e tjera do të përcaktohen përmes “play off”-it, me 2 vende të rezervuara për organizatorët që nuk kualifikohen drejtpërdrejt. Turneu do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028. Ndeshja hapëse do të luhet në Kardif, ndërsa gjysmëfinalet dhe finalja në “Wembley”.
The post Kualifikueset e “Euro 2028”, ja si funksionon shorti. Italia në vazon e parë, por… appeared first on Telesport.
