Kombëtarja U-17 për vajza mësoi sot kundërshtarët e tyre për raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2027.
Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s, ekipi kuqezi i drejtuar nga Cyme Lulaj u vendos në grupin B1 së bashku me Irlandën, Kosovën dhe Azerbajxhanin.
Edhe në këtë raund të parë të kualifikueseve të Europianit 2027, Shqipëria U-17 do të jetë pjesë e Ligës B, ku në raundin e parë do të garojë për të siguruar kalimin në Ligën A për në raundin e dytë.
Vendi organizator i këtij mini-turneu do të vendoset me kompromis mes katër federatave: FSHF, FFK, Federata Irlandeze e Futbollit dhe Federata e Azerbajxhanit.
Edhe Kombëtarja U-19 për vajza mësoi këtë të enjte emrat e skuadrave kundërshtare që do të ketë përballë në raundin e parë kualifikuese të Kampionatit Europian 2026-2027 për këtë grupmoshë.
Në shortin e hedhur mesditën e sotme në selinë e UEFA-s, vajzat kuqezi mësuan se do të kenë përballë Letoninë, Qipron dhe Moldavinë, teksa do të jenë pjesë e grupit B1 në Ligën B.
Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajnerja Daniela Kodra do të garojë për t’u ngjitur në Ligën A për në raundin e dytë të Europianit U-19 për vajza.
Në ditët në vijim do të bëhet me dije edhe vendi organizator i këtij raundi, që do të vendoset me kompromis nga katër federatat anëtare si edhe datat e ndeshjeve.
The post Kualifikueset për Euro 2027 , Shqipëria U-17 dhe ajo U-19 për vajza njohin kundërshtarët appeared first on Telesport.
